Kontrolle të befasishme në Durrës/ Gjenden lëndë eksplozive, granata, e municione të tjera luftarake, arrestohet 28-vjeçari

13/07/2021 10:58

Disa persona janë arrestuar në Durrës, pasi policia ndërrmori disa aksione ‘blic’ për goditjen e paligjshmërisë.

Një pasagjer taksie u arrestua në Durrës, pasi gjatë kontrollit të policisë iu gjetën muncione luftarake.

Në lagjen nr.17 të qytetit bregdetar, pasagjerit iu gjetën në çantë 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore, 491 gramë lëndë eksplozive e dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak.

55-vjeçari Samed Lisaj, banues në Shkodër, akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Njoftimi i policisë:

Strukturat policore të DVP Durrës dhe komisariatet në varësi të saj, kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri e lëndë narkotike apo që kryejnë vjedhje banesash e lokalesh.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, në Durrës është vënë në pranga një shtetas që trafikonte municion luftarak, një tjetër për një sërë vjedhjesh në banesa e lokale, ndërsa në Krujë është kapur një person në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Sekuestrohen lëndë eksplozive C4, 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar me kontrolle të befasishme me pika të lëzishme kontrolli, me afate kohore të ndryshme.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet taksi në të cilin ishte pasagjer shtetasi Samed Lisaj, kanë gjetur në çantën e tij, 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore, 491 gramë lëndë eksplozive e dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shtetasi i arrestuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” është shtetasi Samed Lisaj,  28 vjeç, banues në Shkodër. Ndërsa shtetasi M. S., është shoferi i taksisë ku ndodhej shtetasi Samed Lisaj, dhe në përfundim të veprimeve hetimore është lënë i lirë pasi nuk kishte dijeni për personin që transportonte armë dhe municion luftarak.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kapën dhe ndaluan shtetasin I. B., 64 vjeç, banues në fshatin Tapizë, Krujë, pasi në datë 19.06.2021, gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij janë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 50 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Ky shtetas u arrestua në flagrancë pasi gjatë orëve të para të mëngjesit u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një shumë parash dhe sende personale në mjetin e shtetases S. Z. Në vijim të veprimeve rezultoi se ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes së sendeve të ndryshme personale në 3 automjete të ndryshme, gjatë muajin qershor.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel