Fiks Fare denoncoi sërish problematikën e ish-ushtarakëve, të cilët nuk marrin dot pension, pasi dosjet e tyre kanë humbur. Pasi morën për vite me radhë pension të parakohshëm, siç edhe parashikohej në ligj, qindra ish-ushtarakë po hasin problem me Qendrën e Personel Rekrutimit në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila nuk u konfirmon vitet në detyrë. Por, kur dolën në pension të parakohshëm iu konfirmuan vitet, ndërsa tani “kanë humbur dokumentet”.

Një ish-ushtarak, Bujar Iljazi nga Durrësi thotë se ka qenë ushtarak për vite me radhë, ndërsa e kanë liruar dhe nxjerrë në rezerve. Pasi ka marrë për dy vite asistencën, ka dalë në pension të parakohshëm, të cilin e ka përfituar deri në fund të 2020, kur edhe ka mbushur moshën për pension pleqërie. Por, nga ai muaj e deri në ditët e sotme, Bujari nuk merr asnjë pension, as të parakohshëm dhe as pleqërie, pasi Qendra e Personel Rekrutimit në Ministrinë e Brendshme nuk i konfirmon vitet e punës në ushtri. I ka kthyer përgjigje se “nuk gjenden dokumentet”, ndërsa Bujari ka edhe një vendim gjykate të vitit 2004, e cila konfirmon se ai ka qenë me detyrë në ushtri për shumë vite. Por, edhe pse e ka dërguar te kjo qendër, ende nuk merr pension.

Pas ankesës, ai telefonon Qendrën e Personel Rekrutimit, pasi i thotë problemin, pohojnë se kanë pasur një letërkëmbim me Arkivin e Ushtrisë dhe ende po presin përgjigje. Ndërkohë, gazetarët kontaktojmë me punonjësin, i cili thotë se “deri tani i ka pirë lëngun pensionit të parakohshëm”. E pyesim se çfarë problemi ka, pasi Bujari ka edhe një vendim gjykate. Na thotë se do e verifikojnë.

Në Fiks Fare u ankua edhe z.Kajmak Korreshi, nga Lushnja. Ai thotë se ka qenë në ushtri ku ka punuar për vite me radhë, këto të konfirmuara kur ka dalë në pension të parakohshëm. Ka punuar në Lushnje, ndërsa ka marrë pension të parakohshëm nga viti 2002 deri në fillim të 2021-shit. Pensioni iu mbyll për arsye se ka kaluar në pension pleqërie. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore i ka kthyer përgjigje se ka pasur një letër këmbim me Qendrën e Personel Rekrutimit, ku ka rezultuar se “për ish ushtarakun aktiv Kajmak Banush Korreshi rezulton se ka mangësi dokumentacioni për periudhën 1976-1998”. Bashkëshortja e tij telefonon Qendrën e Personel Rekrutimit, ku punonjësit i thonë se janë ende në pritje të përgjigjes nga arkivi i ushtrisë.

Pas ankesave, gazetarët e “Fiks Fare” telefonojnë këtë qendër, ku e pyesin për problemin e z.Hysni Bajrami, i cili ka marrë certifikata nga Forca Detare që ka punuar në nëndetëse, po s’merr pension suplementar. Për z.Bajrami, punonjësit thonë se duhet të rihapë dosje, pasi ai deri tani s’ka marrë suplementin, madje s’e ka kërkuar. Ndërsa për z.Iljazi thotë se duhet të dërgojë vendimin e gjykatës. Për z.Korreshi thonë se presin ende përgjigje. Sipas tyre, ka shumë probleme pasi në kohën kur këta ushtarakë kanë dalë në pension të parakohshëm, dokumentet i kanë bërë repartet. Kurse tani, i bën Qendra e Personel Rekrutimit. “Nga 50 mijë dosje të ish-ushtarakëve që kanë marrë pension të parakohshëm, nuk janë gjetur dokumentet për 10 mijë persona. Po s’patëm urdhra emërimi dhe lirimi, nuk veprojmë dot ne” thonë punonjësit.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA