Trafikuan 400 klandestinë në SHBA/ Operacioni përfshiu edhe Shqipërinë, kapen edhe dokumentat false

12/07/2021 15:06

Një operacion ndërkombëtar i koordinuar nga Europol, zhvilluar në Spanjë, prangosi 46 persona të përfshirë në trafikun e qytetarëve nga Ballkani për në Britaninë e Madhe.

Sipas Europol, ky rrjet kriminal mundi të trafikonte në Angli dhe SHBA 400 shtetas shqiptarë.
Europol koordinoi hetimin, lehtësoi shkëmbimin e informacionit dhe siguroi mbështetje analitike dhe kriminalistike duke mundësuar edhe pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit në këtë operacion.
Janë sekuestruar dokumente të falsifikuara, dokumentacion financiar, regjistrime të veprimtarive të paligjshme, pajisje elektronike, para dhe droga të ndryshme (kanabis, kokainë dhe droga sintetike).
Hetuesit spanjoll i kapën këtij grupi kriminal 1.000 pasaporta të falsifikuara.

Hetimi për këtë rrjet të mirë-oganizuar trafiku është drejtuar nga Policia Kombëtare spanjolle duke bashkëpunuar edhe me Policinë shqiptare.

Në operacion janë përfshirë edhe autoritetet e zbatimit të ligjit dhe imigracionit në Austri, Francë, Itali, Slloveni, Kosovë, Portugali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga Europol.

Fazat e mëparshme të hetimit çuan në çmontimin e një grupi kriminal të identifikuar në ishullin Saint Maarten të Karaibeve, që kontrabandonte emigrantë nga Ballkani Perëndimor, me dokumente të falsifikuara në Shtetet e Bashkuara.

Korrierët që udhëtonin në Kosovë dhe Shqipëri për të shpërndarë dokumentet e falsifikuara u arrestuan gjithashtu në dhjetor 2020.

Top Channel