Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për pronarin e gomisterisë, ku humbi jetën 23-vjeçari Rafael Tafaj.

Një ditë më parë u zhvillua në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë për 54-vjeçarin Xh. Duka. Ai u arrestua nga policia pas shpërthimit vdekjeprurës që ndodhi më 6 korrik në gomisterinë në pronësi të tij, në zonën e ish-kënetës së Durrësit.

Rafael Tafaj humbi jetën në vendin e punës, ndërsa po punonte për ndërrimin e një gome kamioni, e cila shpërtheu duke i shkaktuar atij vdekjen. Mbrojtja kërkoi një masë tjetër të sigurimit personal, po gjyqtari Petraq Ccuri vendosi masën e kërkuar nga prokurori i çështjes.

Duka akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, ndërsa nën hetim për këtë ngjarje, në gjendje të lirë, është dhe drejtuesi i autoambulancës që, sipas dëshmive, shkoi me vonesë në vendngjarje duke vonuar dhënien e ndihmës në kohë për shpëtimin e të riut.

Top Channel