Operacioni i SPAK në Ministrinë e Brendshme, Kim: Abuzimi me tenderat, vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre amerikanë

10/07/2021 12:37
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të cilët akuzohen se kanë shkelur barazinë në tenderin e uniformave të policisë së shtetit.

Teksa përshëndet operacionin e SPAK, që sipas kryediplomates amerikane po jep rezultate kundër korrupsionit, ambasadorja Kim thekson se abuzimi me prokurimet publike është krim.

Postimi i ambasadores amerikane në Twitter:

Gjë e mirë të shohim më shumë veprime nga SPAK kundër korrupsionit. Abuzimi apo manipulimi i proceseve të prokurimeve publike është njësoj si të vjedhësh nga të gjithë qytetarët (përfshirë qytetarët amerikanë, taksat e të cilëve kontribuojnë në ndihmën e SHBA për Shqipërinë për të mbushur xhepat e tua apo të “miqve” të tu. Ky është krim.

Operacioni çoi në pranga tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë arrestuar ditën e sotme dhe një tjetër është lënë në ‘arrest shtëpie’.

Dyshohet se këto zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë përfshirë në tenderin e uniformave të policisë, një tender që ka shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje në barazinë në tendera, ndërkohë që operacioni po zhvillohet në Tiranë.

Mes të arrestuarve është Edlira Naqellari, e cila 8 ditë më parë u shkarkua nga detyra nga ministri Bledi Çuçi. Ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministri të Brendshme.

Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin, ndërsa Anisa Bogdanin është lënë në arrest shtëpie.

Këta shtetas akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal.

Top Channel