Mancini: Shpresoj ta fitoj si trajner atë që se kam bërë dot si lojtar, futbollistët kanë dhënë 110%!

10/07/2021 23:25

Roberto Mancini do të përjetojë sfidën më të rëndësishme në karrierën e tij si në fushë kur luante po ashtu edhe si trajner, ku edhe pse ka fituar tituj kampion me Interin e Manchester City-n nuk ka përjetuar ndonjëherë një duel të tillë, si lojtar ka qënë një herë në Wembley për atë finale të Kupës së Kampionëve me Sampdorian e tij në vitin 1993 kundër Bracelonës, një finale e humbur, dhe tashmë në të njëjtin impiant do të kërkojë të mos e përjetojë me shijen e hidhur të një disfate. Tekniku në konferencën e fundit përpara finales së madhe e cilësoi këtë takim si më të rëndësishmin për të.

“Kjo finale është një nga çastet më të veçanta dhe me më shumë vlerë në karreirën time. Kam patur mundësinë të luaj me përfaqësuesen dhe nuk kam fituar asgjë, as me 21-vjeçarët dhe as me skuadrën e parë. Shpresoj që atë që nuk e arrita dot si futbollist ta realizoj kësaj here në rolin e trajnerit. 11 Korriku përkon me të njëjtën datë të finales së 82-it?! Shpresoj shumë që kjo datë të jetë për herë të dytë e rëndësishme për ne italianët. Pasioni për futbollin është i madh në Itali, natyrisht edhe në Angli. Shpresoj që në fund të këndojnë vetëm tifozët tanë.”

Më pas tekniku 56-vjeçar vlerësoi maksimalisht kundërshtarin në këtë finale të madhe të Euro 2020.

“Anglia është një ekip i fortë, ashtu si jemi edhe ne. Mendoj se gjithmonë kanë patur skuadra të mira dhe besoj se i ka mugnuar fati që nuk i’a kanë dale dot të fitojnë trofe në këto 55 vite. Sterling është përmirësuar shumë dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, por nuk është vetëm Sterling, ata kanë Harry Kane dhe lojtarë të tjerë me shumë cilësi. Unë personalisht jam i lumtur me paraqitjen e futbollistëve të mi, ata kanë dhënë 110%, sepse në të kundërt nuk do të ishim këtu. Ka qënë një rrugëtim i bukur, por edhe i vështirë, shpresoj ta kurorëzojmë me sukses.”

Ndërkohë përkrah Mançinit ishte edhe kapiteni i “të kaltërve” Giorgio Chiellini, i cili u shfaq i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj finaleje, pa fshehur aspak ambicien për ta fituar atë.

“Ndeshje të tillë mund të të mos qëllojnë dy herë në karrierë, po mundohemi të ulim sado pak tensionin që prodhon një sfidë e tillë. E kemi të qartë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje dhe sa shumë emocione bart si për ne po ashtu edhe për kundërshtarët tanë. Do na duhet të luajmë me zemër dhe me gjakftohtësi. Është një finale dhe për ta fituar duhet përsosmëri. Kane?! Me kujtohet hera e parë që jam përballur me të, ka shumë cilësi. Jam një nga personat që e vlerësoj shumë si futbollist dhe do kem fatin ta kem përballë në këtë finale. “

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA