Kritikave të fillimit mbi shpërndarjen e vaksinave, Bashkimi Europian i është përgjigjur me veprime konkrete.

Blloku ka arritur tani të shpërndajë mjaftueshëm vaksina kundër koronavirusit, në mënyrë që vendet anëtare të imunizojnë të paktën 70 për qind të popullatës së rritur, deklaroi presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. Ajo u bëri thirrje vendeve anëtare të intensifikojnë fushatat e vaksinimit e shtoi se rreth 500 milionë doza vaksinash do të jenë shpërndarë në mbarë BE-në deri në 11 korrik.

Këtë fundjavë, do të kemi shpërndarë mjaftueshëm doza në vendet anëtare, për të vaksinuar plotësisht të paktën 70 për qind të popullatës së rritur. Deri nesër, rreth 500 milionë doza do të jenë të shpërndara në të gjitha rajonet e Europës.

27 qeveritë e BE-së janë përgjegjëse për administrimin e vaksinave te qytetarët e tyre dhe disa po punojnë shumë më shpejt se të tjerat, por Von der Leyen theksoi se “BE-ja e mbajti fjalën e saj”.

“COVID-19 nuk është mposhtur ende, megjithatë ne jemi të përgatitur ta vazhdojmë furnizimin me vaksina edhe kundër varianteve të reja”, u shpreh zyrtarja e lartë. Varianti Delta i koronavirusit është duke shkaktuar rritje të numrit të rasteve në disa vende. Organizata Botërore e Shëndetësisë, e konsideron atë shumë më infektues sesa mutacionet e mëparshme.

Top Channel