Abuzimi me tenderin e uniformave të policisë/ Kush është zyrtari i arrestuar, i hetuar më parë për shpërdorim detyre

10/07/2021 11:56

Tetë zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë arrestuar ditën e sotme dhe një tjetër është lënë në ‘arrest shtëpie’, pas një operacioni disa mujor të kryer nga SPAK.

Këto zyrtarë dhe ish-zyrtarë janë përfshirë në tenderin e uniformave të policisë, një tender që ka shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje në barazinë në tendera.

Mes të arrestuarve është edhe Fatmir Demneri, një nga drejtorët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili ashtu siç edhe gazetarja Anila Hoxha ka raportuar më herët, në maj të këtij viti ka qenë nën hetim nga prokuroria për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Fatmir Demnerit me detyrë të mëparshme drejtor i shërbimeve mbështetëse dhe logjistikës pranë Këshillit të Lartë të prokurorisë u kallëzua nga KLP pas auditit dhe gjetjeve që hodhën pikëpyetje për ushtrimin e detyrës.

Veprimet e zyrtarit shiheshin të dyshimta sa i takon donacioneve të dhuruara nga ndërkombëtarët mbi mbështetjen e qeverisë së prokurorëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pretendoi se zyrtari përvetësoi dy kompjuterë të dhuruar nga ambasada amerikane anëtarëve të KLP gjatë pandemisë në mënyrë që ata të punonin në distance si dhe nuk ka furnizuar automjetet me karburant.

Ndërsa sot, drejtori i KLP është vënë nën pranga për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal.

Kujtojmë se, mes të arrestuarve është Edlira Naqellari, e cila 8 ditë më parë u shkarkua nga detyra nga ministri Bledi Çuçi. Ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës së blerjeve të përqendruara në Ministri të Brendshme.

Urdhër arresti janë lëshuar po ashtu edhe për Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Flutura Çekrezin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin, ndërsa Anisa Bogdanin është lënë në arrest shtëpie.

Top Channel