Zjarre në Vermosh, Mirditë e Lushnjë/ Arrestohet një person për zjarrvënie të qëllimshme

09/07/2021 15:27

Prej 24 orësh një zjarr i fuqishëm ka rënë në shkurret dhe pyjet në afërsi me pikën kufitare të Gerçarit. Flakët po favorizohen nga era dhe temperaturat e larta dhe situata vazhdon të përkeqësohet.

Komandanti i Repartit të Zjarrfikësve në Koplik Besnik Hasa tha se janë dërguar në Vermosh një zjarrfikëse dhe 5 efektivë të repartit. Por megjithatë situata sa vjen e bëhet alarmante.

Në Mirditë u arrestua një person sepse i vuri zjarrin një zone të pyllëzuar. Ai ndiqej prej disa orësh nga policia  ndërsa zjarri që shkaktoi ende vazhdon të digjet  në  rrethina e fshatit Simon.

66 vjeçari Mark Ndreca ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe flakët shpejt dolën jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet “Laskaj”, “Hija e Laknave” dhe “Kodra e Muknezhës”. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 60 ha sipërfaqe pylli me dru lisi.

Edhe në Lushnje sot në mëngjes zjarri rrezikoi disa shtëpi ne lagjen Çlirimi ne Lushnje. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre ku flaket janë shtuar duke iu afruar banesave  e duke depërtuar deri ne oborr. Flakët kanë qenë të qëllimshme.

Top Channel