Indinjimi në kampin e Vllaznisë, ndaj arbitrit rus Aleksei Matyunin, vijon edhe sot, kur kanë kaluar disa orë nga ndeshja ndaj Siroki Brijeg në Bosnjë. Pas trajnerit Brdariç dhe drejtorit sportiv, Djarmati, së fundi ka reaguar edhe sponsori i skuadrës kuqeblu, Alban Xhaferri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ky i fundit ka publikuar sëtatistikat e UEFA-s dhe ka bërë ironi me faktin se kuqeblutë kanë shkaktuar vetëm 12 faulle, por ndërkohë kanë marrë 13 kartonë të verdhë.
Alban Xhaferri e ka cilësuar këtë të dhënë për rekord dhe ndeshjen e djeshme si një “akt të paprecedentë në një ndeshje futbolli europian dhe si një vrasje të futbollit nga arbitri rus Matyunin”.
Ndërkohë, në një replikë me një tifoz, sponsori i kuqebluve zbulon se në klub po punojnë në mënyrë urgjente për të përgatitur dhe dorëzuar në UEFA një dosje ankimimi, për arbitrimin në ndeshjen e djeshme ndaj boshnjakëve të Sirokit.
Top Channel