Vuçiç i mbështet garat e atletëve serbë me atletët e Kosovës

09/07/2021 16:41

Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, u ka thënë të premten dy përfaqësuesve serbë në Lojërat Olimpike të Tokios, që të marrin pjesë lirisht në gara me përfaqësuesit e Kosovës.

Vuçiq është takuar të premten në Beograd me sportistë dhe anëtarë të ekipit olimpik të Serbisë, që do të marrin pjesë në Lojërat në Japoni.

Ai u është drejtuar në mënyrë të veçantë lojëtarëve të xhudos dhe taekwondos.

“Milica dhe Marica, meqënëse do të keni garues nga e ashtuquajtura Kosovë, mos u shqetësoni për asgjë. Ju merreni me sport. Fitoni ose humbni, mos u shqetësoni, ne do të jemi me ju. Thjesht, bëjeni punën tuaj dhe asgjë tjetër. Ne nuk do t’ju detyrojmë të bëni veprime politike, do t’ju mbështesim, do t’ju duam dhe nuk do t’ju kërkojmë asgjë”, ka thënë Vuçiq.

Në vitin 2014, Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke fituar kështu të drejtën për të marrë pjesë si në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Verore.

Lojërat Olimpike Veriore mbahen çdo katër vjet. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, mbajtja e tyre është zhvendosur nga viti i kaluar në këtë vit.

Lojërat Olimpike do të nisin më 23 korrik, në Tokio dhe do të përfundojnë më 22 gusht./rel

Top Channel