SHBA, shkon në 54 numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Miami

09/07/2021 03:36

Ka shkuar në 54 numri i viktimave që janë gjetur në punimet e kërkim-shpëtimit në rrënojat e ndërtesës 13-katëshe e cila u shemb pjesërisht më 24 qershor në rajonin Surfside të Miamit në shtetin Florida të SHBA-së.

Kryebashkiakja e Miamit, Daniella Levine Cava në një konferencë për media tha se në punimet që vazhdojnë në rrënojat e ndërtesës, janë gjetur trupat e 8 personave të tjerë.

Ajo më tej shtoi se 33 nga 54 trupat e gjetur janë identifikuar dhe se janë ende 86 persona të zhdukur. Derisa punimet e kërkim-shpëtimit kanë arritur në ditën e 14-të, Cava tha se pas kësaj nuk ka mbetur mundësi për të gjetur njerëz të gjallë nën rrënoja dhe se për këtë arsye punimet do të ndryshojnë në këtë drejtim.

“I kemi ezauruar me të vërtetë të gjitha alternativat që na janë ofruar në punimet e kërkim-shpëtimit. Të gjithë kërkuam nga Zoti një mrekulli”, tha Cava e cila shtoi se edhe pse është e vështirë kanë vendosur që të kalojnë në punimet e kërkimit dhe heqjen e rrënojave në vend të kërkim-shpëtimit.

Top Channel