Rama i rreptë me kryebashkiakët: Jeni përgjegjës direkt për menaxhimin e fondeve publike! Deri në SPAK nëse ka dyshime për tender korruptiv

09/07/2021 12:42

Takimi i kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive të vendit vazhdon në ambientet e kryeministrisë.

Rama ishte i prerë në fjalën e tij kur tha se nuk do të ketë më tolerime për asnjë kryebashkiak. Sipas tij, do të kontrollohet miratimi i çdo kontrate me operatorët ekonomike dhe nëse ka dyshime për korrupsion, do të shkohet deri në denoncimet në SPAK.

Do të kalohet pa ngurrim nga ana jonë, nga dënimet me gjobë, në denoncimet në SPAK, kur ka dyshime për tender korruptiv. Do të jetë kushdo qoftë që do të shkojë para trupës së SPAK për të dhënë shpjegime.

Rritje e menjëhershme dhe e qëndrueshme e konkurrencës. Rritje e përgjegjshmërisë së autoriteteve kontraktore. Të shmanget procedura pa konkurrim, me negociata paraprake. Në nivelin e qeverisë qendrore, i kemi larë duart.

Çdo abuzim do të konsiderohet haptazi penal. Të gjitha procedurat pa shpallje do të ndiqen. Autoritetet kontraktore duhet të kontrollojnë dhe operatorët ekonomikë.

Me paketën e re ligjore, kryetarët e bashkive janë përgjegjës direkt për mirë menaxhimin ose keq menaxhimin e  fondeve publike përmes procedurave të prokurimit:

-Numri i pjesëmarrësve për procedurën.

-Vlera e kursyer në arkën e bashkisë

-Kufizimi drastik deri në eliminimin e procedurave pa shpallje

-Realizimi i kontrata sipas kushteve”, shpjegoi kryeministri.

Sipas Ramës, lidhur me procedurat e reja për përcaktimin e operatorit ekonomik fitues, kanë reaguar vetëm  48% e bashkive.

Gjatë vitit 2020, rezulton se pas hetimit administrativ, janë konstatuar përzgjedhje me negocim, probleme në përllogaritjen e fondit, kualifikimi dhe shpallje fitues të operatorëve që nuk plotësojnë kriteret. Si rezultat, janë ndëshkuar me gjobë.

Nga ana tjetër, rezulton se 47 nga 61 bashki, për më shumë se 50% të procedurave kanë vetëm një operator ekonomik. Pavarësisht se procedura është teorikisht e hapur”.

Është fakt i njohur se hartimi i kritereve të veçanta për kualifikim, e cenon shkallën e pjesëmarrjes dhe drejtësinë e konkurrencës së operatorëve.

Mesatarja e numrit të ofertave të kualifikuara për këto procedura është vetëm 2.1”.

Ndërkohë, në fillim të takimit, kryesocialisti përjashtoi nga PS-ja Fatos Tushen. Ish-kryebashkiaku i Lushnjës po hetohet për korrupsion nga Gjykata e Posaçme. Rama tha se vendimi për përjashtimin e Tushes mund të rishikohet, vetëm nëse ai shpallet i pafajshëm.

Top Channel