Kryedemokrati Basha ka reaguar pas takimit të Kryeministrit Rama me kryetarët e bashkive.

Vetëm dy ditë më parë, Rama firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar të Lushnjës, Fatos Tushe, i cili së bashku me 10 zyrtarët e tjerë u arrestuan me urdhër të SPAK, pasi akuzohen se kanë shpërdoruar me detyrën për një tender të dhënë ndaj një kompanie, pa iu referuar procedurave.

Kreu i PD-së Lulzim Basha shkruan se Rama mund t’i lajë duart me një kryebashkiak të korruptuar mirëpo shqiptarët e dinë se peshku qelbet nga koka.

“Mund të lash duart me një kryebashkiak të korruptuar apo të bësh koka turku bedelët e tu në atë sallë, por shqiptarët e dinë mirë se PESHKU QELBET NGA KOKA!”, shkruan kryedemokrati Basha në Facebook.

Në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen e sotme, Rama tha se vendimi për përjashtimin e Tushes nga PS do të rishikohet vetëm në rast se ai del i pafajshëm.

Më tej, Rama tha se këto masa merren për të dhënë një mesazh shumë të qartë se kushdo që luan me taksat e shqiptarëve nuk do të ketë mbështetjen e PS dhe do të jetë i vetëm para drejtësisë.

Top Channel