Gruaja shtypet për vdekje nga ekranet e ‘karaokes’ teksa festonte ditëlindjen në klubin e natës (fotot)

09/07/2021 16:30

Më poshtë pasqyrohen momentet e tmerrshme kur një grua e re shtypet për vdekje nga ekranet gjigande të karaokes, teksa festonte ditëlindjen e saj në një klub nate në Rusi.

Tatiana Pokhorenko, 35 vjeçe, vdiq në vend pasi struktura e metaltë rreth 200 kg me gjashtë ekrane ra mbi të teksa këndonte, në qytetin Surgut në perëndim të Siberisë.

Incidenti tragjik u regjistrua nga kamerat e sigurisë në barin Gallery Club ku Tatiana ishte duke festuar ditëlindjen me miqtë e saj. Pamjet janë publikuar së fundmi.

Pronari i klubit Semen Kopaigora u arrestua për vrasje nga pakujdesia dhe iu dha dënim i pezulluar tre vjet burg, për incidentin e ndodhur në 2018.

Në video, Tatiana shihet që kërcen nën strukturën që qëndron e varur nga tavani.

Në pamje shihet struktura që nis te ngrihet lart, me një mekanizëm që kontrollohet nga DJ i mbrëmjes.

Por disa sekonda më vonë e gjithë struktura bie nga një lartësi prej 7-8 metrash, duke zënë poshtë Tatianën.

Në pamje shihen më tej dëshmitarët e shokuar që nxitojnë në skenë për të ngritur strukturën e shembur, ndërsa qëndron palëvizur e shtrirë në pistën e kërcimit.

David Skvortsov, i cili punonte si DJ mbrëmjen e tragjedisë, tha për mediat: “Unë po ngrija ekranet në mënyrë që tekstet e këngës të shiheshin dhe nga klientët e katit të dytë. Por në një moment ekranet e karaokes ranë poshtë dhe vranë gruan”.

Pronari i barit, i identifikuar si Semen Kopaigora, u shpall fajtor për ngjarjen.

Më 6 korrik ai u dënua për vdekje nga pakujdesia dhe mori dënimin tre vjet burgim i pezulluar.

Prokurorët thanë se Kopaigora “kishte instaluar strukturën me ekranet e karaokes pa u siguruar për standardet e sigurisë”.

Gjykata e Surgut tha se dënimi ishte reduktuar prej rrethanave lehtësuese, saktësisht faktin që është familjar me dy fëmijë dhe veprimet e kompensimit ndaj të afërmve të viktimës, sipas mediave vendase.

FOTO GALERI
1/7
Tatiana duke kenduar ne pisten e kercimit

Top Channel