Vështirësitë e regjistrimit online/ Aplikimi për vitin e parë gjimnaz i pamundur për nxënësit që nuk kanë marrë dëftesat

08/07/2021 19:44

Aplikimi për regjistrim në klasën e dhjetë është i hapur data 1 deri në 15 Korrik përmes portalit e-albania.

Por ende nxënësit nuk kanë marr dëftesat e lirimit të cilat duhet t’i skanojnë nga origjinali e të plotësojnë formularin e regjistrimit që zhvillohet për herë të parë elektronikisht.

“Jam në portalin e-albania kam mbaruar klasën e 9 por nuk aplikoj dot për gjimnaz sepse nuk kam marr ende dëftesën e jam pak i stresuar”.
Për ekspertët e arsimit kjo procedurë nuk është gjithëpërfshirëse si dhe ka kosto.

Valbona Nathanaili: Ne nuk jemi shoqëri teknologjike. Në shtëpinë e çdo shqiptari nuk ka kompjuter jo më skaner.

Teksa familjet nuk kanë mundësi zgjedhje për shkollën ku duan të mësojnë fëmijët e tyre, pasi sistemi ua cakton automatikisht bazuar te shkolla 9 vjeçare ku fëmija ka përfunduar arsimimin, ekspertët theksojnë se kjo i drejton prindërit te shkollat private.

“Për analogji kur maturantët më të mirë kanë të drejtë të zgjedhin shkollat më të mira pse mos ti zgjedhin e nxënësit e klasave të 9? Pasi vetë ministria e arsimit bën një vlerësim e rankim të shkollave”.

Në këtë situatë studiuesja Nathanaili ka këtë propozim: Të mbahen të dyja mënyrat e regjistrimit, edhe fizik edhe online

Top Channel