Në Sërfsajd të Floridës, pikërisht dy javë pas shembjes tragjike të ndërtesës së apartamenteve, operacionet tani kanë kaluar nga një mision shpëtimi, në një “mision rikuperimi”. Më shumë trupa u gjetën dje, duke e çuar numrin e të vdekurve në 54 persona, ndërsa 86 ende figurojnë të zhdukur.
Sot, ekipet në vendin e ndërtesës së shembur në Florida nuk po kërkojnë më për shenja jete.
Disa nga punonjësit – u përlotën një natë më parë tek mbajtën një moment heshtje për të shënuan fundin e përpjekjeve të tyre të kërkimit.
“Ndjejmë trishtim të thellë këtë pasdite që morëm vendimin jashtëzakonisht të vështirë për të kaluar nga operacionet e kërkim-shpëtimit në ato të gjetjes së trupave ”, tha kryetarja e bashkisë së qarkut Majami-Dejd Daniella Levine Cava.
Për 14 ditësh rresht, ekipet e shpëtimit punuan në kushte të vështira – përfshirë zjarre dhe stuhi -ndërsa kërkuan për të mbijetuar por nuk mundën të gjejnë asnjë të gjallë.
Zyrtarët thanë se e bazuan vendimin për t’i dhënë fund përpjekjeve të kërkimit në një numër faktorësh.
“Ishin faktorët inxhinierikë që përfshijnë vetë natyrën e kësaj shembjeje – e cila të jep një probabilitet më të ulët për të mbijetuar, shoqëruar me faktin se kishte shumë pak boshllëqe”.
Ata që i mbijetuan tragjedisë tani po e fillojnë jetën nga e para.
82-vjeçarja Zulia Taub po jeton në apartamentin e një shoqeje. Shtëpia e saj e 22 viteve dhe të gjitha sendet e saj u fshinë nga tragjedia.
“Dola vetëm me pizhama, një mantel dhe një çantë”, thotë zonja Zulia.
Autoritetet filluan një hetim për shembjen, dhe të paktën gjashtë procese gjyqësore janë ngritur nga familjet e viktimave./ VOA
Top Channel