Lamtumira në ditën e lindjes/ Përcillet 29 vjeçarja që humbi jetën disa ditë pasi solli në jetë fëmijën e dytë

07/07/2021 15:12

Ardita Hersi Muça do të mbushte 29 vjeç këtë të mërkurë, por familjarë dhe të afërm i kanë dhënë lamtumirën dhe e kanë përcjellë për në banesën e saj të fundit në Shkallnur të Durrësit. Familjarët e saj kërkojnë drejtësi, ndërsa dyshojnë se mjekja gjinekologe që e ka ndjekur gjatë shtatzënisë dhe me të cilën ka kryer lindjen nuk e ka kryer si duhet detyrën e saj. Ata e akuzojnë atë për neglizhencë dhe pakujdesi.

Familjarët thonë se shkaku i vdekjes së Arditës siç u kanë thënë mjekët në spitalin e Durrësit ka qenë pikërisht tromboza, po Ardita nuk ishte trajtuar gjatë shtatzanisë apo pas lindjes së djalit me hollues gjaku. Gjithsesi edhe familjarët janë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore që do të hedhë më shumë dritë mbi vdekjen e 29-vjeçares që la pas dy fëmijë, një vajzë dhe djalin e porsalindur.

Sipas mjekëve, gratë shtatzëna dhe lehona kanë një rrezik të lartë për të bërë tromboza pasi gjaku i tyre mpikset më shumë se normalja dhe kjo është e nevojshme për të ulur mundësinë e gjakderdhjes gjatë shtatzënisë dhe lindjes. Po kjo tendencë mund të rrisë rrezikun e formimit të mpiksjeve të mëdha të gjakut. Ky rrezik bëhet edhe më i madh në prani të faktorëve të tjerë, të trashëguar ose të fituar, dhe në rast se nuk trajtohen çojnë në tromboza fatale.

Top Channel