“Ballë për ballë”: Delegacionet e Serbisë dhe Kosovës takohen në Bruksel!

07/07/2021 12:34

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Takimi zhvillohet në nivel negociatorësh, por, siç është shprehur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, “asgjë në dialog nuk është teknike dhe gjithçka është thellësisht politike”.

Të martën, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka pasur pothuajse gjatë gjithë ditës bisedime me ekipin e Lajçakut, ndërsa ngjashëm me takime e ka nisur sot ditën edhe delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, thote REL.

Në këto takime mësohet se palët raportojnë për pikepamjet e tyre lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe për temat që duan të diskutohen në vazhdim të dialogut. Bisedimet e sotme mes delegacioneve negociuese janë të parat në këtë nivel që nga takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic, më 15 qershor.

Një takim tjetër mes tyre pritet të zhvillohet para datës 25 korrik, por kjo nuk është saktësuar ende. Sipas Lajcak, sot diskutohet edhe përgatitjet e takimit të ardhshëm Kurti-Vuçic.

Top Channel