Aksidenti ajror rus/ 19 trupa nxirren nga deti, të tjerë besohen të vdekur pas përplasjes me shkëmbin në mot të keq (fotot)

07/07/2021 15:58

Nëntëmbëdhjetë trupa janë nxjerrë sot nga deti pas përplasjes së një avioni rus pasagjerësh me faqen e një shkëmbi, ku u vranë të gjithë 28 pasagjerët në bord.

Në pamjet e rënda të publikuara shiheshin mbetjet e shkatërruara të mjetit dhe sendet personale të pasagjerëve të shpërndara në bregdetin shkëmbor, pas përplasjes së djeshme kur avioni i afrohej tokës së uljes me mot të keq.

Grupe zhytësish po punonin për gjetjen e nëntë pasagjerëve të tjerë dhe ekuipazhit.

Zona e kërkimeve ishte zgjeruar pas një njoftimi se “mbetjet mund të jenë transportuar në një distancë të largët në det”.

Avioni i epokës sovjetike tip An-26 — i ndërtuar në 1982 — u përplas në shkëmbinjtë bregdetarë në Detin e Okhotsk teksa fluturonte nga kryeqyteti rajonal Petropavlovsk-Kamchatsky drejt fshatit të Palana.

Kompania fluturuese Kamchatka Aviation fajësonte erërat e forta për aksidentin dhe tha se po hetohen ende shkaqet e tij.

Guvernatori vendas Vladimir Solodov tha: “Trupat po nxirren nga uji, numrat e tyre shtohen. Trupi i avionit është gjetur në këtë kodër por pjesa më e madhe është në ujë. terreni është shumë i vështirë, helikopteri nuk mund të ulet aty”.

Sergei Gorb, kreu i aviacionit të Kamchatka tha se avioni ishte përplasur me shkëmbin bregdetar, që nuk duhet të ishte në trajektoren e tij të uljes.

Mes viktimave ishte nëna e tre fëmijëve Yulia Surovtseva, 43 vjeçe, e cila drejtonte një teatër kukullash në Palana.

Një tjetër ishte Ekaterina Ponikarova, 30 vjeçe, që kthehej në shtëpi nga pushimet.

Në avion ishte drejtuesja e administratës lokale të Palana, Olga Mokhireva, 42 vjeçe.

Dy zyrtarë të tjerë të Palana ishin mes viktimave, Alexander Andreykin, 44 vjeç, dhe bashkëshortja Olga Andreykina, 47 vjeçe.

Një vajzë gjashtë-vjeçare Alisa Khvaleyeva, ishte gjithashtu në avion, së bashku me 17 vjeçarin Artyom Tishchenko.

Avioni An-26 është prodhuar për transport civil e ushtarak por prej disa vitesh ka qenë objekt aksidentesh prej mangësive të mirëmbajtjes.

Në gusht një An-26 u përplas gjatë ngritjes në Sudanin e Jugut, ndërsa një muaj më vonë një tjetër u përplas me tokën gjatë uljes në lindje të Ukrainës duke vrarë 22 nga 28 njerëz në bord.

FOTO GALERI
1/11
Nëntëmbëdhjetë trupa janë nxjerrë sot nga deti pas përplasjes së një avioni rus pasagjerësh me faqen e një shkëmbi

Top Channel