Aeroplanmbajtësja gjigante britanike kalon kanalin e Suezit, drejt Detit të Kinës Jugore (foto-video)

07/07/2021 15:20

Aeroplanmbajtësja e re gjigante britanike ‘Queen Elizabeth’ lundronte sot përmes Kanalit të Suezit për herë të parë, në dislokimin e saj të parë për të nervozuar Pekinin në Detin e Kinës Jugore.

Luftanija 3 miliardë paundëshe u filmua sot teksa lundronte përmes kalimit strategjik egjiptian, së bashku me grupin shoqërues të përbërë nga dy luftanije tip 45, dy frigata tip 23 dhe dy mjete detare mbështetëse.

Mes tyre ishin luftanijet HMS Defender dhe frigata holandeze HNLMS Evertsen, të cilat kohët e fundit u përfshinë në një konfrontim me flotën ruse në Detin e Zi.

Me to lundron dhe luftanija sulmuese amerikane USS The Sullivans.

Lundrimi i sotëm i jep fund fazës së parë të misionit të aeroplanmbajtëses, thonë zyrtarët britanikë, me operacionet në Mesdhe dhe manovrat e perbashketa me aeroplanmbajtësen franceze Charles de Gaulle.

Faza e dytë përfshin operacione në Lindjen e Mesme dhe sulme ajrore kundër elementëve të ISIS, duke përdorur dy skuadronët e gjuajtësve F-35 që ajo mban të stacionuar në bord.

Komandanti Steve Moorhouse, tha se ‘Queen Elizabeth’ ka kryer pjesën kryesore të operacioneve kundër ISIS, para largimit nga Mesdheu.

Ai shtoi se mjeti do të përdoret për të asistuar tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, para se të lundrojë në portin e Omanit në Detin Arabik, dhe më pas drejt Indisë për manovra me flotën e vendit.

Aeroplanmbajtesja gjate lundrimit ne oqeanin Indian do te kete manovra ose bashkeveprim me flotat e Singaporit, Malajzise, Australise e Zelandes se Re, si dhe do te kaloje ne Detin e Kines Jugore, ku mund te priten konfrontime me Pekinin.

Komandanti thotë se ndalesat finale të misionit do të jenë ato në Japoni e Korene e Jugut. Britania thotë se misioni i aeroplanmbajtëses është përqendrimi më i madh i fuqisë detare që largohet nga vendi prej disa dekadash.

Top Channel