Policia e Fierit ka ndaluar dhe arrestuar një 28-vjeçar, i cili ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë ndalimi i shtetasit E. M., 28 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, sepse gjatë kontrollit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, nuk është konstatuar në banesën e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ndërsa, një tjetër 28 vjeçar u vu në pranga pasi është kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar.
“F. T., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz” (autoshkollë), në gjendje të dehur dhe me leje drejtimi të pezulluar”, njofton policia.
U arrestua gjithashtu, shtetasi G. G., 47 vjeç, banues në Kashtëbardhë, Lushnjë, pasi në fshatin Lifaj, mbrëmjen e djeshme, duke drejtuar automjetin tip “Ford Focus” është përplasur me një karrocë që tërhiqej nga një kafshë dhe për pasojë është dëmtuar lehtë shtetasi E. G., 40 vjeç, banues në Lifaj, i cili po udhëtonte me karrocën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel