Pas një hetimi 5 mujor, Policia e Tiranës si rezultat i operacionit të koduar “Alliasi” ka vënë në pranga një 40-vjeçar.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se 40-vjeçari kishte përshtatur një tabachino për shitjen e drogave të forta, kundrejt shumës 3500 lekë të rinj për dozë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “ALLIASI”, në kuadër të të cilit bënë ekzekutimin e masës së sigurisë për shtetasin K. H., 40 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” në mungesë.
Arrestimi i tij u bë pasi gjatë një hetimi 5-mujor, shërbimet e Policisë bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta.
Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës në zonën e Alliasit, në një tabachino pranë banesës së tij, ku shiste lëndë narkotike kokainë kundrejt 3500 lekë të rinj për dozë”, njofton policia.
Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kontrollit të tabachinos dhe banesës u gjetën dhe u sekuestruan doza me lëndë narkotike kokainë, një armë zjarri pistoletë, shumat 42.000 lekë të rinj dhe 8730 euro, një automjet, një motomjet dhe 7 aparate celular.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel