Pasi i cilësoi anti-kushtetuese, Gjykata Kushtetuese vendosi që të shfuqizojë vendimin për t’ia kaluar bashkisë Tiranë pronësinë e Teatrit si dhe ligjin e veçantë për ndërtimi e tij.

Por, Gjykata nuk arriti t’i japë zgjidhje çështjes kryesore nëse duhej të prishej apo jo godina pasi nuk siguroi dot numrin e duhur të votave.

Teksa Bashkia Tiranë e cilësoi atë si një fitore, për juristin Jordan Daci edhe ky vendim është në shkelje me ligjin themeltar të shtetit.

 “Vendimi i Këshillit Bashkia nuk do të thotë se është i ligjshëm apo kushtetues, por thjesht nuk është marrë në shqyrtim, por në bazë të arsyetimeve vërteton që edhe ky vendim është antikushtetues, në një kohë kur i heq të drejtën edhe bashkisë mbi këtë projekt. Së pari Gjykata ka vendosur që ligji shfuqizohet, çka do të thotë se gjithë mekanizmi që do të mund të përdorej nga Bashkia në raport me mënyrën se si do bëhej tenderimi, bie bëhet 0. Së dyti , ka vendosur që prona t’I kthehet ministrisë së Kulturës. Pra, bashkia ka humbur çdo të drejtë mbi truallin dhe përfshirjen e saj në këtë projekt sepse është jashtë çdo lloj kompetence të saj.”

Por, cili është skenari i mundshëm për Teatrin pasi vendimi i gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi?

“Tashmë do të duhet që të kemi një projekt që do të duhet të zhvillohet nga autoriteti përkatës që është pronari në këtë rast, do duhet të zbatohet mbi bazën e rregullave të zakonshme të prokurimit publik, do duhet lëshuar sërish leja. Kuptimi që del nga ky vendim është se Ministria apo kushdo që do ta zhvillojë këtë projekt do të duhet ta bëjë siç ka qenë, pa i ndryshuar asgjë.”

Deri më tani, si palë e përfshirë në proces nga ana e presidencës nuk ka pasur ansjë reagim, teksa vendimin nuk e ka komentuar as vetë qeveria.

Top Channel