Ofertat e martesës për ‘gratë e ISIS’ në kampin sirian, rruga e vetme drejt lirisë (fotot)

02/07/2021 21:31

Banoreve të kampeve u janë dërguar pagesa me një total prej rreth $500,000, sipas dëshmisë së grave brenda dhe rreth kampit sirian të Hawl, që konfirmohen dhe nga zyrtarët kurdë dhe një ish-anëtar i ISIS me njohuri të rrjetit të transfertave të parave.

Kjo praktikë është një rrezik i konsiderueshëm sigurie si për Sirinë ashtu dhe për qeveritë perëndimore që refuzojnë të pranojnë përsëri qytetaret e tyre. Por sipas shumë të intervistuarve, martesat e reja po bëhen mënyra e tyre e çlirimit, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

“Çdo ditë një burrë më shkruan nëse dëshiroj të martohem,” thotë një grua nga Rusia që jeton në kamp. “Të gjitha gratë e tjera këtu po martohen përsëri … edhe pse disa janë ende pro-Isis.”

Rreth 60,000 gra e fëmijë që u larguan nga bastioni i fundit i ISIS në mars 2019, tashmë qëndrojnë në kapin e refugjatëve Hawl, i menaxhuar nga forcat kurde pro-amerikane.

Burgosja e tyre në kamp është kthyer në një cështje emocionale për mbështetësit e ISIS nëpër botë, prandaj “martesa” me një nga gratë atje, qoftë edhe në distancë, është kthyer në një arritje nderi për këta elementë në rrjetet sociale.

Për burrat është një mënyrë angazhimi shoqëror dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. Bashkëshortët në pritje janë kryesisht me origjinë muslimane nga vende të Evropës Lindore dhe në gjendje të mirë shoqërore.

Për gratë në kamp, kjo është një menyrë për të siguruar të ardhurat që bëjnë më të përballueshme jetën në kamp, me të cilat të mund të blejnë mjekime, bebelina apo minuta për telefonët e tyre.

“Kam një kërkesë … ” shkruhet në një nga mesazhet e shumta në gjuhën arabe në një grup pro-Isis në Facebook. “A mund të gjej këtu një grua të përkushtuar ndaj fesë? … unë mund ta nxjerr atë jashtë me çdo kosto.”

Nuk ka ende shifra zyrtare sesa gra kanë arritur të largohen nga kampi Hawl në këtë mënyrë, por para dy vjetësh të gjitha hapësirat e kampit ishin të zëna ndërsa tani ka disa seksione me ndarëse banimi të zbrazura.

Nuk është e qartë se ku gjenden shumica e të larguarave, por një grua me të cilën kishte folur e përditshmja Guardian, tani jeton me bashkëshortin e saj të ri në nje vend te ish-Bashkimit Sovjetik.

Këto “martesa” kryhen në telefon, madje nganjeherë nuk është nevoja që vetë nusja të flasë; një sheik ndërmjetës reciton disa reshta dhe e shpall burrin e ri ‘wali’, ose ndryshe ‘gardian’ të gruas, e cila nga ana e saj merr para ose një celular të ri në formë ‘paje’.

Shumë nga këto lidhje virtuale kanë natyrën e bamirësisë, ndërsa disa të tjera bëhen edhe romatike apo seksuale.

Disa prej burrave të vërtetë të grave të ISIS janë ende gjallë në burgje, por gratë thonë se janë të lira për t’u martuar përsëri pasi nuk e dinë nëse bashkëshortët e tyre “janë ende muslimanë”.

“Burri im premtoi të më mbështeste por më pas më tha se ka probleme me punën, apo se nuk më dërgon dot para se mund të arrestohet, kështu që u ndava me të”, thotë një grua në kamp. “Jam njohur me dikë tjetër në internet dhe mund të martohem me të, kështu ai do të më ndihmojë mua dhe fëmijët e mi”, shton gruaja.

Kampi i Hawl është një vend i vështirë dhe numrat e mëdhenj të refugjatëve e bënin të vështirë ruajtjen e kontrollit nga rojet kurde.

Prej fillimit të vitit të paktën 40 vrasje janë kryer atje, ndërsa javën e kaluar shtatë gra të aneksit të huaj, sulmuan njëra-tjetrën me thika e sende te forta.

Shumë qeveri të Evropës perëndimore refuzojnë të pranojnë ish-qytetarët e tyre  që tani në kamp kanë arritur në rreth 9,000, te cilat tentojnë me të gjitha mënyrat për t’u larguar prej andej. / The Guardian/ Përgatiti Andi Lamko/

FOTO GALERI
7/7
Shumë nga këto lidhje virtuale kanë natyrën e bamirësisë, ndërsa disa të tjera bëhen edhe romatike apo seksuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA