Reali i Madridit mund të humbë edhe Raphael Varane, pas Sergio Ramosit, në repartin e mbrojtjes. Në shtëpinë e “Los Blancos” tashmë e kanë të qartë se duhet ta zgjidhin sa më parë të ardhmen e francezit, kontrata e të cilit përfundon pas një viti.

Mediet britanike sigurojnë se pas arritjes së marrëveshjes për Jadon Sanchon me Borussian e Dortmundit, Manchester United ka objektiv kryesor Varane, për të cilin ofron 45 milionë euro, një shumë ndjeshëm më inferiore se 70 milionët që kërkon Reali për mbrojtësin.

“Djajtë e Kuq” i kanë nisur tashmë kontaktet me 28-vjeçarin prej disa muajsh, për të kuptuar se cili është vullneti i tij. Tani ka ardhur momenti për të nisur bisedimet me Realin për çmimin e kartonit të futbollistit. Prestigjiozja spanjolle “AS” siguron se klubi anglez ka hedhur në tryezën e bisedimeve emrin e Paul Pogbasë, të cilit i përfundon kontrata verën e ardhshme, pra në qershor 2022.

Negociatat midis Manchester United dhe Realit të Madridit premtojnë të jenë të gjata dhe mund të ketë surpriza. Lojtari francez, kampion bote në fuqi, nuk e përjashton qëndrimin në klubin “merengues”. Të gjitha mundësitë mbeten të hapura. Telefonata e Ancelottit, që i ka kërkuar francezit qëndrimin për shkak të rëndësisë që ka në skuadër, mund të jetë e mjaftueshme që mbrojtësi qendror ta rimendojë situatën, me kusht që Madridi gjithashtu të bëjë një përpjekje të vogël për ta kënaqur financiarisht.

Manchester United e ka bërë të qartë se do të forcojë mbrojtjen me dy lojtarë qendre. Varane është objektivi numër 1, pasi pëlqehet shumë nga Solskjaer, por emri i Pau Torres, lojtar i Villarreal, është gjithashtu në rendin e ditës. Në një mënyrë apo në një tjetër, pasi vendosi të shpenzonte një shumë të majme për Sanchon (85 milionë euro), United ka nevojë për para, ndaj ka tre emra në listë për t’i shitur: Diogo Dalot, Jesse Lingard dhe Eric Bailly.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA