Malësi e Madhe/ Arrestohen dy persona, procedohen penalisht edhe dy të tjerë. Ja për çfarë akuzohen

01/07/2021 13:37

Policia e Malësisë së Madhe ka vënë në pranga dy persona si dhe ka proceduar penalisht dy të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Policia raporton se ndër personat e ndaluar është një  30 vjeçar, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe.

Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Prokuroria e Apelit Tiranë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me Burg”, për veprën penale ”Kultivimi i bimëve narkotike”. Ai iu dorëzua Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Po ashtu është arrestuar edhe një 31-vjeçar shkodran, pasi ka kanosur një 32-vjeçar.

“Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Ç., 31 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Kanosja”, pasi ka përndjekur dhe kanosur shtetasin A. R., 32 vjeç, banues në Shkodër”, bën të ditur policia.

Gjithashtu është proceduar penalisht një 19-vjeçar, pasi gjatë kontrollit që është ushtruar në biznesin bar-kafe që ai kishte nën administrim është konstatuar hapja e një faqeje që dyshohet se përdoret për vendosjen e basteve online.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar proceduan penalisht shtetasit E. D., 19 vjeç dhe D. L., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin bar-kafe në administrim të shtetasit D. L., në pajisjet kompjuterike është konstatuar hapja në mënyrë periodike e një faqeje që dyshohet se përdoret për vendosjen e basteve online”, tha policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel