Guvernatori Sejko takohet me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ja çfarë kanë diskutuar

01/07/2021 14:50

Sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Përfaqësueses së re të Përhershme të Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, EkaterinaSolovova. Ajo do të zëvendësojë në këtë detyrë, MatteoColangeli që përfundon me sukses mandatin e tij si Përfaqësues i Përhershëm i kësaj banke në Shqipëri.

EkaterinaSolovova i është bashkuar BERZH-it për herë të parë në vitin 2004 në ekipin e Telekomunikacionit, Medias dhe Teknologjisë, duke vazhduar karrierën e saj në industrinë e kapitalit privat në Londër në 2006. Në vitin 2012 ajo u rikthye pranë BERZH, në rolin e  Kryetares së Zyrës Rezidente në Samara, Rusi. Solovovaka vijuar karrierën e saj në Bankë duke mbajtur pozicione të larta, si këshilltare e Presidentit dhe, së fundmi, në Ekipin e Kapitalit Privat.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i drejtoi një falënderim të veçantë Colangeli për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve si dhe angazhimin e tij për zbatimin e projekteve të ndryshme në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë.

Më tej, Guvernatori vlerësoi BERZH-in, për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare dhe stabilitetit financiar. Ai u ndal  tek projekti i ri që do të mbështesë Bankën e Shqipërisë në përpjekjet e saj për përafrimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës për institucionet e kreditit me standardet e Bashkimit Evropian, duke adresuar boshllëqet që do të identifikohen përmes asistencës teknike.

Gjithashtu, ai vlerësoi dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh që iu akordua Agjencisë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave (ASD), si një mjet shtesë mbrojtës që ndikon në rritjen e stabilitetit të sektorit bankar në vend dhe të sigurisë së klientëve.

Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, si dhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen. Treguesit e institucioneve zyrtare flasin për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë gjatë vitit 2021, e cila pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

Ai prezantoi më tej masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.

Përfaqësuesit e BERZH vlerësuan pozitivisht politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, si dhe për kontributin e saj në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, përmirësimin e ambientit të kreditimit e kuadrit mbikëqyrës e rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare. Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë dhe më herët.

Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, përfaqësuesit e BERZH-it falënderuan Guvernatorin për bashkëpunimin e deritanishëm institucional si dhe diskutuan lidhur me projektet e ardhshme, duke vlerësuar potencialet e vendit dhe shprehur angazhimin për rritjen e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Shqipërinë.

Top Channel