Asnjë çadër pa leje/ Subjektet në Pogradec janë pajisur me autorizimin përkatës për shfrytëzimin e rërës

01/07/2021 14:23

18 subjekte janë kontrolluar deri tani buzë liqenit në Pogradec dhe të gjitha janë në rregull me ligjin, sipas policisë.

Aksioni policor nisi dje (30 qershor) nga veriu në jug, duke vënë në hetim dhjetra administratorë lokalesh dhe duke hequr qindra çadra dhe shezlongë.

Por, në Pogradec situata paraqitet e qetë. Pogradecarët që kanë vendosur çadra dhe shezlongë në rërë, kanë marrë leje në bashki.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Pogradec nisi faza e dytë e operacionit për lirimin e hapësirave bregliqenore të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregliqenore në drejtim të zaptimit të hapësirave publike nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë shërbime të Komisariatit të Policisë Pogradec, Policia Bashkiake, Inspektoriati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të Bashkisë Pogradec, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Pogradec.

Deri tani janë kontrolluar 18 subjekte, të cilat ishin të pajisura me lejen përkatëse dhe nuk janë evidentuar shkelje.

Top Channel