21 zyrtarë shtetërorë janë arrestuar në aksionin e sotëm policor në lidhje me dyshimet për mashtrim me subvencione, rast ky tashmë i njohur për opinionin si “Subvencionet 2021”. Ky aksion është zhvilluar sot qysh nga mëngjesi në pesë qytete të ndryshme të Kosovës duke filluar në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.
14 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa 7 të tjerët janë zyrtarë të komunave ku është zhvilluar operacioni.
Këto detaje i ka dhënë në pasditen e sotme prokurori i rastit, Rafet Halimi i cili tha se shumica nga të arrestuarit janë inspektorë të cilët kanë hartuar raporte të rrejshme.
Halimi tha se aksion i cili filloi sot në mëngjes po vazhdon ende.
Ai tha se aksioni i sotëm është vazhdim i operacionit të zhvilluar më 24 dhe 25 shkurt të këtij viti, ku u arrestuan 12 persona.
“Qysh në orët e hershme të mëngjesit në bashkëpunim me departamentit për Krime Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kemi marr një operacion të gjerë në disa komuna të Kosovës. Si në Prishtinë, Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 21 të pandehur për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale marrje ryshfeti dhënie ryshfeti, keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit legalizim i përmbajtjes së rremë dhe mashtrim me subvencione. Nga 21 personat e arrestuar, 14 prej tyre janë zyrtar të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në kuadër të ministrisë së Bujqësisë si dhe disa zyrtar në komunat e Kosovës. Shumica prej zyrtarëve të arrestuar janë inspektor që kanë vërtetuar duke hartuar raporte të rrejshme. Operacioni i sotëm është vazhdim i operacionit të datës 24 shkurt dhe 25 shkurt ku janë arrestuar 12 të pandehur”, tha ai.
Prokurori i rastit të njohur si “Subvencionet 2021”, Rafet Halimi u shpreh se ekziston dyshimi se personat e arrestuar kanë shkaktuar dëm mbi 1 milionë euro.
“Prokurori ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura dhe ndaj tyre brenda 24 orë do të paraqitet kërkesa për caktimin e paraburgimit…Edhe tani veç është duke vazhduar aksioni dhe do të vazhdojë edhe më tej. Sa i përket vlerës së dëmit tani për tani nuk mund të deklarohem, por vlera e dëmit i kalon mbi 1 milion euro, por saktësisht do ta përcaktojnë ekspertët financiarë”, theksoi Halimi.
Tutje në këtë konferencë për medie, prokurori i rastit ka treguar edhe mënyrën se si kanë arritur deri tek ky operacion hetimor.
“Deri më tani kemi kuptuar se bashkëpunimi ka ekzistuar në mes të zyrtarëve komunale dhe atyre të ministria e Bujqësisë dhe tashmë shumica prej tyre janë të arrestuar dhe këto janë zbuluar nga masat e vëzhgimeve teknike të hetimit dhe duke marr një numër të madh të dëshmitarëve që jemi duke edhe tani”, u shpreh Halimi.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit për Hetim në Policinë e Kosovës, Arben Paçarizi tha se ky aksion i cili ka zgjatur tash e disa muaj është mbështetur nga njësitë e veçanta policore.
Ai tha se kanë arritur të sigurojnë prova të mjaftueshme ndaj të dyshuarve.
Paçarizi ka kërkuar nga të gjithë të dëmtuari e këtij procesi që t’i drejtohet Policisë së Kosovës.
“Nga Policia e Kosovës është mbështetur me njësi të veçanta dhe mund të konfirmoj se ky hetim ka zgjatur disa muaj është vazhdimësi e rastit të koduar ‘Subvencioni’ i njohur tashmë për publikun në hetim është punuar në mënyrë të tillë që janë siguruar prova të mjaftueshme ndaj të dyshuarve dhe për këtë arsye ndaj të dyshuarve sot është zbatuar një urdhër kontroll në 5 lokacione ku janë siguruar dhe marr prova të ndryshme që janë relevante për procedurën e mëtejme. Është rast mjaftë kompleks dhe i rëndësie të veçantë dëshiroj të falënderoj publikun dhe informacionet e pranuara nga ta të cilat më vonë kanë rezultuar në inicimin e këtij hetimi”, tha ai.
Me po të njëjtën aferë në muajin shkurt të këtij viti u arrestuan 12 zyrtarë, dhe u sekuestruan para të gatshme në vlerë mbi 600 mijë euro./KosovaPress/
Top Channel