Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka folur për përplasjen mes dy familjeve në Velipojë, ku ndodhi edhe vrasja e katër personave, mes të cilëve edhe punonjësi 20-vjeçar.

Në emisionin “Top Talk”, Ndreu dha zgjidhjen që i jep fund sherreve duke thënë se rëra duhet të jetë hapësirë publike që paguhet nga operatorët turistik. Ndër të tjera shtoi se kushdo që shkon për të bërë biznes gjatë sezonit turistik pa pasur struktura shërbimi nuk kanë pse të shkojnë se nuk ka vend në plazh.

Ndreu: Nuk e kuptoj përse duhet të ketë konflikte të tilla, operatorët turistik duhet të aplikojnë në zonat ku janë lënë të lira tek e-albania, të konfirmohen nga Ministria e Turizmit dhe nga bashkitë përkatëse. Pra, konfirmimi bëhet mbi bazën e përparësisë që marrin strukturat hoteliere, njësitë e shërbimit dhe pronarët e tokave. Pra ka një çudi mes operatorëve turistik që duke pasur një sistem të mëparshëm të shfrytëzimit të hapësirave publike sipas teorisë së të fortëve ose sipas ndarjeve klienteliste, e kanë shumë të vështirë të ambientohen me një sistem të ri që u aplikua vitin që kaloi.

Ata njerëz që janë mësuar të bëjnë si të duan me hapësirën publike, hapësira publike nuk është e tyre. Fatkeqësisht ka vende ku rëra është privatizuar dhe çuditërisht, nuk e kuptoj pse nuk zhbëhen këto.

Dyrnjaja: A duhet ndërmarrë një iniciativë për tu bërë publike e gjithë hapësira që i takon pjesës ranore të plazheve dhe kjo të administrohet qoftë nga e-albania apo strukturë tjetër që të mos kemi këtë lloj përplasjeje me pasojë dhe jetën.

Ndreu: Është përgatitur një projektligj që të zhbëjë të gjithë privatizimet abuzive të rërës. Kjo është edhe pasojë e kësaj situate katastrofë të hipotekimeve të zonave ranore ku në fakt nuk ka pasur kurrë pronarë të vjetër e as të rinj. Por në mënyrën më korruptive na dalin territore rëre të privatizuara. Kjo është një tjetër problematikë, e cila nxit konflikt. Mesa më kanë vënë në dijeni, po e përgatisin projektligjin për shkak të procedurave korruptive të hipotekimeve të këtyre zonave ku kurrë rëra nuk ka qenë në pronësi të askujt. Nëse lirohet rëra, bëhet gjysma e punës. Rëra duhet të jetë hapësirë publike që paguhet nga operatorët turistik. Të tjerët që vijnë për të bërë biznes pa pasur struktura shërbimi nuk kanë pse vijnë se nuk ka vend në plazh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA