Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken pritet të vizitojë të dielën Italinë, si pjesë e një turi takimesh në disa vende evropiane. Ai do të takohet me udhëheqësit më të lartë të vendit si dhe Papa Françeskun.
Të hënën zoti Blinken dhe Ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio do të bashkëkryesojnë një takim të Koalicionit Global për të Mposhtur ISIS-in që mbahet në Romë. Në të njëjtën ditë ai pritet të takohet dhe me Kryeministrin italian Mario Draghi dhe Presidentin Sergio Mattarella për të diskutuar rreth luftës civile në Siri dhe nevojave për ndihmë humanitare që ka ky vend.
Departamenti i Shtetit thotë se Siria mbetet një shqetësim i madh në kushtet kur anëtarët e grupit terrorist të Shtetit Islamik po përpiqen të shfrytëzojnë kampet humanitare, ku qëndrojnë me dhjetëra mijëra gra e fëmijë, për të rekrutuar gjeneratën e ardhshme të luftëtarëve.
Po të hënën, zoti Blinken do të shkojë në Vatikan për takime me Papa Françeskun dhe Kryepeshkopin Paul Gallagher për diskutime mbi ndryshimin e klimës, trafikimin e qenieve njerëzore dhe lehtësimin e borxheve për vendet e varfëra.
Takimi i tij me Papën vjen disa muaj përpara një takimi në muajin tetor mes Papa Françeskut dhe Presidentit Joe Biden, presidenti i dytë katolik i Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë të fundit, peshkopët e kishës katolike amerikane votuan për të hartuar një deklaratë mbi Kungimin, e cila mund të qortojë figurat politike të besimit katolik, përfshirë Presidentin Biden, të cilët mbrojnë të drejtën për abort, por që personalisht e kundërshtojnë këtë praktikë.
Gjatë vizitës së tij në Paris të premten Sekretari Blinken paralajmëroi se mungesa e një marrëveshje të përkohshme për të monitoruar veprimtaritë bërthamore të Iranit, mund të detyrojë Shtetet e Bashkuara të braktisin përpjekjet për t’u bërë sërish pjesë e marrëveshjes bërthamore. Ai i bëri thirrje Teheranit të marrë, siç tha, vendime “të vështira” për të çuar përpara bisedimet që mund të ringjallinin marrëveshjen.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Saeed Khatibzadeh tha në një deklaratë të premten se “palët kundërshtare janë ato që duhet t’i marrin vendimet”.
Në Vjenë palët negociuese kanë zhvilluar bisedime për gjashtë javë. Raundi më i fundit i bisedimeve jo të drejpërdrejta përfundoi të dielën e kaluar me çështje madhore ende të pazgjidhura./VOA
Top Channel