Duke nisur nga data 28 qershor Italia do të heqë detyrimin për vënien e maskës në ambientet e jashtme.

Qeveria vjen me këtë vendim pasi numri i rasteve me Covid-19 dhe i shtrimeve në spital është në rënie.

Kujtojmë se, vënia e maskës me detyrim është vendosur që prej tetorit të vitit të kaluar, kur Italia hyri në valën e dytë të koronavirusit dhe autoritetet shëndetësore po luftonin për të frenuar infeksionet në rritje.

“Nga 28 qershori, ne do ta lëmë pas nevojën për të mbajtur maska jashtë, në zonat e bardha”, tha ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Nga kjo datë, e gjithë Italia pritet të shpallet zonë e bardhë, që nënkupton nivelin më të ulët të rrezikut nga koronavirusi.

19 nga 20 rajonet e Italisë janë të bardha. Vetëm zona veriore Valle d’Aosta është e verdhë.

Vendime të ngjashme për maskat kanë ndërmarrë edhe shtetet e tjera evropiane, të tilla si Franca dhe Spanja, përkundër shqetësimeve për përhapjen më të shpejtë të variantit Delta të koronavirusit.

Rreth 26% e italianëve janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ndërsa rreth 52% kanë marrë së paku një dozë të vaksinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA