U dhunua nga 10 persona, flet 21-vjeçarja: Ende më dhemb koka! Më është dashur të fsheh veten për vite me radhë

22/06/2021 14:20

Luana, 21-vjeçarja e komunitetit LGBTQ+ që u dhunua në kryeqytet nga 10 të rinj ka folur për ngjarjen e rëndë duke thënë se nuk i është larguar ende dhimbja e kokës.

Në emisionin “Shqipëria Live”, u shpreh se që kur ishte fëmijë e ndjente që ishte ndryshe. Pavarësisht përpjekjeve, thotë se nuk arriti të fshihej më dhe i bën thirrje të gjithëve që të bëjnë çfarë të duan me jetën e tyre.

Luana: E kam ndjerë veten që në vegjëli që jam ndryshe. Por kudo jam trajtuar si mashkull deficient se askush nuk më shihte në figurën e mashkullit. Mu desh të fshihesha për vite dhe ka ardhur koha që secili të bëjë ç’të dojë me jetën e vet. Mua më ka ndodhur një dhunë para 2 ditësh që jam sulmuar nga 10 persona që kanë qenë të rinj që informohen me njerëz që nxisin urrejtje dhe dalin si ekspertë. E kam raportuar në polici, më kanë mbrojtur. Mua më janë shkulur flokët dhe kam 3 ditë me dhimbje koke. Unë jam transgjinor dhe i kam të dyja gjinitë brenda vetes.

Rastin e denoncoi për herë të parë aktivistja, Xheni Karaj. Përmes një statusi në rrjete sociale ajo shkroi se 21-vjeçarja është dhunuar verbalisht e fizikisht nga 10 djem, si dhe postoi foto të vajzës ku duken qartazi shenjat në trupin e saj.

“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë sulm, ne kërkojmë urgjentisht që rasti të zbardhet nga autoritetet dhe të vihen para drejtësisë autorët e dhunues; Ne kërkojmë gjithashtu të ndalet menjëherë gjuha që nxit dhunë ndaj komunitetit LGBT, dhe një reagim të menjëhershëm të institucioneve përgjegjëse!”, shkroi aktivistja.

Menjëherë pas raportimit, reagoi ambasada gjermane në Shqipëri dhe kërkoi hetimin e plotë të rastit. Në deklaratë, ambasada dënoi çdo akt dhune, që vjen për shkak të orientimit seksual, duke theksuar se do të vazhdojnë mbështetjen për barazi dhe mos diskriminim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA