Christian Eriksen befasoi shokët e tij të ekipit me një vizitë në mes të seancës stërvitore. Mesfushori i Interit, i cili la të premten spitalin në Kopenhagen ku ishte shtruar për shkak të atakut kardiak gjatë ndeshjes së parë me Finlandën.

Numri 10 i danezëve përqafoi të gjithë shokët e skuadrës, madje shkëmbeu disa fjalë me ta. Mbrojtësi i Atalantës, Joakim Maehle, tha se vizita e Eriksenit ishte një surprizë e madhe:

“Ishte emocionuese, sepse herën e fundit, kur e pamë, ai ishte shtrirë në fushë, në luftë për jetën. Ne e dinim se Christiani ishte mirë, por është krejtësisht ndryshe kur e sheh përballë.” 29-vjeçarit Eriksen i është vendosur një pajisje për monitorimin e zemrës, që synon të parandalojë incidente të ngjashme në të ardhmen.

Eriksen ishte i shoqëruar nga partnerja dhe fëmijët e tij. Mesfushori drekoi me ekipin para se të kthehej në shtëpi për të kaluar kohën me familjen. Danimarka humbi ndaj Finlandës dhe Belgjikës në dy ndeshjet e tyre të para në grup, por ende ka një shans për të kaluar në fazën tjetëer me një fitore ndaj Rusisë të hënën në “Parken Stadium”.

Sulmuesi Andreas Skov Olsen tha se vizita e Eriksenit do ta ndihmojë skuadrën të përqendrohet plotësisht në ndeshjen kundër Rusisë.

“Ishte shumë bukur ta shihje atë duke qëndruar para nesh”, – tha lojtari i Bolonjës. – “Është e rëndësishme për ne të dimë që Christian është mirë, që të mund të përqendrohemi në pjesën tjetër të turneut.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA