Milan Skriniar ishte një nga më të mirët në fushë në përballjen mes Suedisë dhe Sllovakisë, por nuk mjaftoi që këta të fundit të merrnin të paktën një pikë, pasi u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.
Mbrojtësi sllovak u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve, por pranoi se është i zhgënjyer për rezultatin dhe bëri thirrje që skuadra të shohë përpara nga ndeshja me Spanjën, pasi ka ende shanse të kualifikohet.
“Më vjen keq që humbëm, pasi luajtëm si një skuadër e vërtetë, duke u rreshtuar mirë dhe treguar shpirt të lartë gare. U ndëshkuam nga një episod, siç ishte penalltia dhe më pas provuam, por ishim të pafat”, deklaroi mbrojtësi sllovak.
Ditët e fundit mediat kanë raportuar se Skriniar mund të largohet nga Milano këtë verë, por vetë futbollisti mohoi zërat e merkatos dhe zbuloi se ka folur disa herë me trajnerin e ri të zikaltërve, Simone Inzaghi.
“Herën e fundit që më shkroi Inzaghi, ishte pas golit të shënuar ndaj Polonisë. Kemi folur disa herë gjatë kësaj kohe dhe jam shumë i lumtur që tifozët zikaltër më kanë mbështetur dhe përgëzuar për atë që po bëjmë këtu. Përfitoj nga rasti t’i përshëndes dhe falënderoj të gjithë”, deklaroi Skriniar.
Top Channel