Franca e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme Europianin, pasi ia doli të fitojë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Gjermanisë në “Allianz Arena” të Mynihut, ndërsa nesër në orën 15:00 do të jetë mysafire e Hungarisë në Budapest, në ndeshjen e dytë të grupit.
Trajneri Didier Deschamps doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi maksimalisht ndeshjen e nesërme dhe theksoi se “gjelat” do të synojnë të sigurojnë sa më shpejt kualifikimin, pasi janë pjesë e një grupi të vështirë.
Si është përgatitur skuadra para kësaj ndeshjeje?
Luajmë në orën 15:00 dhe që pas ndeshjes me Gjermaninë, edhe stërvitjet i kemi bërë në këtë orar, për t’u përshtatur sa më shumë. Nuk është e lehtë, pasi na u desh të modifikojmë shumë nga programi ynë stërvitor, por jemi gati për sfidën e nesërme.
A do të bëni ndryshime në formacion, duke qenë se Hungaria cilësohet edhe si më e dobëta e grupit?
Ndryshimet në një turne si ky janë të rëndësishme, por jo vendimtare. Jemi të vetëdijshëm që bëjmë pjesë në një grup të vështirë dhe ndeshjen e fundit e kemi me Portugalinë, ndaj duam të sigurojmë kualifikimin sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të bëj ndryshime, do ta mësoni vetëm kur të dalin formacionet.
Si është gjendja e Pavard dhe Mbappe?
Të dy janë shumë mirë dhe gati për ndeshjen e nesërme. Për Pavard ishim shqetësuar më shumë se duhet dhe më vjen mirë që nuk ishte asgjë serioze, ndaj është në dispozicion për nesër. Nuk ka probleme as për Mbappe, që është mjaft i rëndësishëm për ne, pasi ka aftësinë të diktojë ritmin e një ndeshjeje edhe i vetëm.
Jeni i kënaqur me performancën e Griezmann?
Antionne bën shumë për fazën mbrojtëse, madje ndonjëherë edhe e tepron, por jam shumë i kënaqur me atë që jep në fushë, pasi golat dhe asistet e tij, flasin më së miri për klasin që ka. Jam shumë i lumtur që kam në ekip një futbollist të aftë t’i bëjë mirë të dy fazat e lojës.
Top Channel