Ronaldo vijon të shkruajë historinë, Portugalia e nis mbarë ndaj Hungarisë

15/06/2021 20:02

Portugalia kampione në fuqi e Europës, ka debutuar me fitore në Euro 2020, pasi ia ka dalë të triumfojë me rezultatin 0-3 përballë Hungarisë në sfidën e zhvilluar në praninë e rreth 60 mijë tifozëve në “Ferenc Puskas” të Budapestit.

Vëmendja maksimale në këtë takim ishte pikërisht te ylli portugez Cristiano Ronaldo, i cili u bë lojtari i vetëm që luan në 5 Europianë të ndryshëm dhe njëkohësisht futbollisti me më shumë ndeshje në këtë kompeticion.

Megjithatë pavarësisht një pjese të parë të mirë të luzitanëve, CR7 zhgënjeu në pjesën e parë, duke humbur edhe një rast flagrant, pasi u shërbye brenda zonës dhe me portën e boshatisur gjuajti keq, duke dërguar topin jashtë.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Hungarinë, që gjeti edhe golin e avantazhit, por që u anulua për një pozicion jashtë loje dhe kur dukej se sfida po shkonte drejt barazimit, Fernando Santos bën dy zëvendësime në minutën e 81-të, duke ndryshuar tërësisht performancën e luzitanëve në fushë.

Goli i avantazhit nuk vonoi, pasi në minutën e 84-t ishte Raphael Guerreiro që u harrua në zonë dhe theu për herë të parë portierin hungarez Gulasci, ndërsa tre minuta më vonë, arbitri turk Cakir akordoi 11-metërsh për luzitanët.

Nga pika e bardhë shkoi Cristiano Ronaldo, që këtë herë nuk mund të gabonte dhe mposhti për herë të dytë portierin hungarez, duke shkruar një tjetër kapitull të historisë, si futbollisti që ka shënuar më shumë në fazën finale të Kampionatit Europian.

Hungaria u pa totalisht e dorëzuar pas golit të dytë, ndërsa nga krahu tjetër kampionët në fuqi të Europës nuk e ulën ritmin dhe patën kohë edhe për një gol të tretë, sërish me protagonist Cristiano Ronaldon, që kompleti dopietën personale që në start./SuperSport/

Top Channel