Dokumentet: Trump nxiti Dep. e Drejtësisë të trajtonte pretendimet e tij mbi zgjedhjet

15/06/2021 22:54

Në javët e fundit të administratës së tij, ish-Presidenti Donald Trump dhe ndihmësit e tij i bënë presion Departamentit të Drejtësisë për të hetuar ankesat e tij të pabazuara në fakte, për manipulim të zgjedhjeve të 2020 si dhe për të ndryshuar rezultatin që e nxirrte atë humbës, sipasdisa dokumenteve të publikuara të martën.

Megjithëse kanë kaluar rreth pesë muaj prej largimit të tij nga detyra, ish-Presidenti Trump ende pretendon se zgjedhjet u manipuluan duke e privuar atë nga një mandat tjetër katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Reformës në Dhomën e Përfaqësuesve, para se të largohej nga detyra, ish-shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows dhe një avokat privat, Kurt Olsen, u përpoqën të nxisnin Departamentin e Drejtësisë për të hetuar pretendimet mbi parregullsi në zgjedhje, të cilat ishin hedhur poshtë në atë kohë nga dhjetra vendime gjyqësore.

Megjithatë ky institucion, i cili në javët e fundit të presidencës Trump drejtohej nga Prokurori i Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, hodhi poshtë kërkesat e udhëzuara nga ish-Presidenti.

“Këto dokumente tregojnë se Presidenti Trump u përpoq të korruptonte agjencinë kryesore të zbatimit të ligjit në një përpjekje të paskrupullt për të ndryshuar rezultatin e zgjedhje që e shpallte atë humbës”, tha Kryetarja e Komisionit Carolyn Maloney, një demokrate nga Nju Jorku.

Zoti Trump e bëri kërkesën edhe pasi Prokurori i Përgjithshëm në largim William Barr beri publike më 1 dhjetor konkluzionet e departamentit sipas të cilave: “deri më sot, nuk kemi parë manipulime në atë shkallë që mund të kishte prodhuar një rezultat tjetër në zgjedhje”, sikurse tha ai.

Zoti Barr u largua nga detyra më 23 dhjetor dhe u zëvendësua nga zoti Rosen, i cili shërbente në atë kohë si zëvendës i tij.

Dokumentet e publikuara nga komisioni tregojnë se zoti Trump, përmes një ndihmësi të tij, i dërgoi zotit Rosen një email më 14 dhjetor me dokumente që pretendohej se provonin manipulimin e zgjedhjeve në një zonë në veri të Miçiganit, një pretendim të cilin ndërkohë një gjykatës federal e kishte hedhur poshtë.

Dy javë më vonë, zoti Trump bëri përpjekje, por pa sukses që avokatët e Departamentit të Drejtësisë të hartonin një ankim të shkruar nga Olsen drejtuar Gjykatës së Lartë me pretendimin se ndryshimet e ligjeve zgjedhore të bëra nga shtetet e Xhorxhias, Miçiganit, Uiskonsit, Arizonës, Nevadës dhe Pensilvanisë, që zgjeronin votimin përmes postës gjatë pandemisë së COVID-19, ishin të paligjshme.

Në të njëjtën kohë që zoti Trump po nxiste pretendimet e tij për manipulim në zgjedhje zoti Meadows, shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, po i kërkonte zotit Rosen të shqyrtonte teori të tjera konspirative të pabazura në fakte në lidhje me zgjedhjet.

Mes tyre, sipas gazetës “New York Times”, një teori sipas së cilës pretendohej se persona që kishin lidhje me një kontraktor italian në fushën e mbrojtjes përdornin teknologji satelitore të vendosura në Evropë për të manipuluar nga Evropa, pajisjet e votimit në SHBA, duke ndryshuar votat e hedhura për zotin Trump në vota për zotin Biden./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA