Vetëm 30 për qind e votuesve dolën në zgjedhjet parlamentare të Algjerisë të shtunën, sipas komisionit zgjedhor të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje arriti 30,2 për qind”, deklaroi Mohamed Chorfi, kryetari i Autoritetit Kombëtar të Pavarur të Zgjedhjeve, për televizionin shtetëror.
Më shumë se 24 milionë votues kishin të drejtë të votimit në zgjedhjet e së shtunës, të parat që nga largimi i ish-presidentit Abdelaziz Bouteflika në prill 2019 pas protestave masive kundër sundimit të tij 20-vjeçar.
Në zgjedhjet parlamentare 2017, pjesëmarrja e votuesve arriti në 37,09 për qind, kurse në vitin 2012 ishte 42,9 për qind.
Të shtunën, presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune minimizoi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Ajo që është e rëndësishme është legjitimiteti që do të rezultojë nga votimi dhe legjitimiteti i deputetëve që do të përfaqësojnë autoritetin parlamentar”, tha Tebboune pasi votoi.
Tebboune gjithashtu tha se ai respekton vendimin e atyre që bojkotuan zgjedhjet.
Votimi u zhvillua mes bojkotit të një numri partish, duke përfshirë Frontin e Forcave Socialiste, Përpjekjen për Kulturë dhe Demokraci dhe Partinë e majtë të Punëtorëve.
Zgjedhjet ishin të parat që miratuan sistemin e listave të hapura për përzgjedhjen e kandidatëve sipas ligjit të ri të zgjedhjeve. Sistemi i listave të hapura lejon votuesit të përzgjedhin kandidatët brenda së njëjtës listë sipas preferencës së tyre, ndryshe nga listat e mbyllura që detyronin votuesit të zgjedhin listën bazuar në marrëveshjen e vendosur nga partia.
Në mars, Tebboune lëshoi një dekret që bënte thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare në 12 qershor, më pak se një muaj pas shpërndarjes së Asamblesë Kombëtare të Popullit, dhomën e ulët të parlamentit./AA/
Top Channel