Gjysma e biznesit nuk përdor kasën/ Tatimorët nisin aksionin në fillim të sezonit të ri turistik

09/06/2021 19:50

Pas një periudhe të vështirë për shkak të tërmetit dhe pandemisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka zbritur në terren për t’i kujtuar bizneseve zbatimin e legjislacionit dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Mbi 50 % e subjekteve që operojnë në sektorin e turizmit në Durrës nuk e kanë përdorur kasën fiskale gjatë muajit të kaluar. Situata paraqitet edhe më problematike në jug të vendit.

Delina Ibrahimaj, drejtor i DPT: ”Subjektet duhet të kuptojnë që duhet të zbatojnë legjislacionin.është më shumë se gjysma e subjekteve që nuk kanë shtypur kasë. Do të jemi në të gjithë bregdetin.”

Lëshimi i faturave jo fiskale dhe punësimi i padeklaruar i personave mbeten shkeljet kryesore të bizneseve në sektorin e turizmit.

Delina Ibrahimaj, drejtor i DPT: ”Vetëm në rast se biznesi nuk reagon ndaj këshillimit në distancë do të ketë penalizime. Ne kemi evidentuar të gjithë bizneset në Shqipëri në bazë të kritereve të riskut që nuk zbatojnë legjislacionin dhe u kemi bërë thirrje të vetërregullohen.”

Lidhur me procesin e fiskalizimit, Ibrahimaj tha se nuk do të ketë shtyrje afatesh, ndërsa qasja e tatimorëve do të jetë në mbështetje të bizneseve.

Delina Ibrahimaj, drejtor i DPT: ”Në dt. 1 korrik për transaksionet biznes me biznes dhe 1 shtator biznes konsumator. Nuk do të shtyjmë afatet, por s’do të kemi qasje ndëshkuese ndaj jush. Sistemi nuk është i panjohur dhe më pak i ndërlikuar seç mendohet.”

Në rajonin e Durrësit operojnë 1190 subjekte, hotele, bar-kafe dhe restorante që ofrojnë produkte dhe shërbime në zonat turistike.

Top Channel