Prodhimi i Brendshëm Bruto i Bashkimit Evropian (PBB) u tkurr me 1,2 për qind në bazë vjetore në tremujorin e parë të vitit 2021, me një rimëkëmbje të pjesshme, treguan të martën shifrat zyrtare.
Ekonomia e bllokut 27 anëtarësh u tkurr me 4,4 për qind në tremujorin e mëparshëm, 4 për qind në periudhën korrik-shtator të 2020, 13,8 për qind në prill-qershor dhe 6,2 për qind në total në 2020, sipas të dhënave të Eurostat.
Në pjesën e zonës së euros, shkalla e rritjes së PBB-së ishte minus 1,3 për qind në tremujorin e parë të 2021, krahasuar me të njëjtit tremujor të vitit 2020. Zona e euros apo eurozona (ZE19) përfaqëson vendet anëtare që përdorin monedhën e vetme – euro, ndërsa BE27 përfshin të gjitha vendet anëtare të bllokut.
Në tremujorin e parë, Portugalia ishte me performancën më të keqe me një normë të rritjes së PBB-së prej minus 5,4 për qind në bazë vjetore, e pasuar nga Austria (minus 4,5 për qind), dhe Spanja (minus 4,3 për qind), sipas autoritetit statistikor të bllokut.
Ndërkohë, Irlanda regjistroi normën më të lartë të rritjes së PBB-së me 12,8 për qind në bazë vjetore, ndërsa Estonia (5 për qind) dhe Luksemburgu (4,9 për qind). Masat e COVID-19, të tilla si bllokimet dhe ndalimet e udhëtimit, ndikuan në aktivitetet ekonomike në të gjithë botën, veçanërisht në BE.
Top Channel