Europoli arreston mbi 800 persona në operacionin global të teknologjisë së lartë

09/06/2021 01:56

Agjencia e policisë së BE-së arrestoi mbi 800 persona në operacionin e saj të madh kundër organizatave kriminale që përdornin rrjete të koduara të komunikimit, njoftoi Europoli.

Në një seri “operacionesh në shkallë të gjerë të zbatimit të ligjit u kryen gjatë ditëve të fundit në 16 vende duke rezultuar në bastisjen e më shumë se 700 shtëpive dhe arrestimin e më shumë se 800 vetave”, thuhet në deklaratën e agjencisë. Gjatë operacioneve u sekuestruan rreth tetë tonë kokainë, 22 tonë kanabis, dy tonë drogë sintetike, 55 automjete luksoze dhe monedha nga e gjithë bota dhe kriptomonedha me vlerë 48 milionë dollarë.

Europoli i kreu operacionet me mbështetjen e 16 vendeve dhe në bashkëpunim me Byronë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), Policinë Kombëtare Holandeze (Politie), Autoritetin Policor Suedez (Polisen) dhe Departamentin kundër drogës të Shteteve të Bashkuara (DEA). Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i Europolit, Jean-Philippe Lecouffe, tha: “Ky është një operacion jashtëzakonisht i suksesshëm i autoriteteve të Shteteve të Bashkuara, Suedisë, Holandës, Australisë, Zelandës së Re dhe anëtarëve të tjerë evropianë të Task-Forcës Operative”.

Rrjetet e krimit të organizuar gjithnjë e më shumë po mbështeten në platformat e koduara të komunikimit për të lehtësuar veprimtaritë e tyre kriminale. Europoli gjatë vitit të kaluar ka kryer disa operacione kundër rrjeteve të koduara të komunikimit që përdoreshin nga kriminelët, përfshirë një operacion kundër platformës së koduar EncroChat në korrik 2020 dhe kundër rrjetit Sky ECC në mars 2021.

Top Channel