BB ul pritshmërinë për Shqipërinë/ Nga 5,1 përqind zbret në 4.4 përqind rritjen ekonomike

09/06/2021 15:33

Banka Botërore ka ulur pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2021.

Në raportin e fundit të perspektivës ekonomike globale, institucioni financiar ndërkombëtar është treguar më konservator duke parashikuar një rritje ekonomike prej 4.4%  për këtë vit, nga 5.1% që parashikonte në fillim të janarit.

Me ulje prej 0.7% është rishikuar edhe vlerësimi për vitin e ardhshëm nga banka botërore, e cila pret që ekonomia e vendit të rritet me 3.7%, teksa për vitin që lamë pas vlerësimet përfundimtare të saj flasin për një rënie ekonomike prej -3.3%, shumë poshtë vlerësimit fillestar të saj tejet pesimist prej -7.5%.

Ekonomia shqiptare dhe ajo e Malit të Zi në rajon vlerëson raporti do të vazhdojnë të ndjejnë goditjen e pandemisë për shkak të varësisë së tyre të lartë nga turizmi, pasi masat kufizuese mund të pengojnë edhe në vijim ardhjen e turistëve të huaj dhe zhvillimin e sektorit me peshë të konsiderueshme në ekonominë e dy vendeve.

Në periudhën afatmesme thuhet në raport, ekonomitë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të nxiten nga përshpejtimi i reformave strukturore të ndërmarra në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian në rast se procesi nuk shtyhet më tej në kohë.

Ndër vendet e rajonit, këtë vit rritjen më të madhe ekonomike sipas Bankës Botërore pritet ta ketë Mali i Zi prej 7.1%, pas goditjes së madhe që mori vitin e kaluar me rënien më të thellë në Ballkanin Perëndimor,  ndjekur nga Serbia me 5%.

Vlerësimet e Bankës Botërore për ecurinë e ekonomisë shqiptare janë ndjeshëm më të ulëta se pritshmërinë optimiste të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë që parashikojnë përkatësisht një rritje ekonomike në 5.5% dhe 5.3% për këtë vit.

Top Channel