Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u pyet për shpalljen ‘non grata’ të ish kryeministrit Sali Berisha në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Kongresmeni republikan i Long Island, Lee Zeldin i kërkoi Blinken informacione publike për këtë vendim.

Por shefi i diplomacisë amerikane e ftoi kongresmenin dhe çdo anëtar të Komitetit që ishte i interesuar që të shkonte në sektorin ligjor të Departamentit për të parë procesin që ka sjellë caktimin e Berishës dhe familjes së tij në listën e personave qe u ndalohet hyrja ne shtetet e Bashkuara.

Ai tha se këto vendime zakonisht merren në kuadrin e shtimit të përpjekjeve të Departamentit të Shtetit për të kufizuar dhe penguar korrupsionin në botë si dhe ndikimin e tij në drejtat e njeriut.

“Ne vijojmë të shohim përtej kufijve, rreth atyre të përfshirë në korrupsion që shkelin të drejtat e njeriut, që sfidojnë parimet e demokracisë. Në këtë çështje procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e mi. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht”, tha Blinken.

Zeldin e shpërfilli ftesën personale për në Departamentin e Shtetit dhe pyeti Sekretarin nëse mund të ndante ndonjë informacion aty në publik me Komitetin. Kur Blinken përsëri ftesën e tij për çdo anëtar të Komitetit, kongresmeni republikan e pyeti se çfarë duhet të bëjë një gazetar për të mësuar për procesin dhe për të marrë infomacione për çështjen Berisha.

“E para, ejani në Zyrën e Legjislacionit, përpara se të dalë në media, në mënyrë që të sigurosh informacion dhe, e dyta, eja në Zyrën e Zëdhënësit për Çështje Publike dhe ne do tentojmë që t’ju sigurojmë informacion në përputhshmëri me obligimet tona”, tha Blinken.

Pyetje-përgjigjet vijuan gjatë një seancë të Sekretarit Blinken në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, që deri në fund të vitit të kaluar drejtohej nga kongresmeni Eliot Engel.

Ditën që shpalli vendimin për Berishen Non Grata, Blinken tha se “Në cilësinë e tij zyrtare, veçanërisht si Kryeministër i Shqipërisë, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve kundër korrupsionit dhe masave të llogaridhënies. Me këtë përcaktim, rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhej në deklaratën e sekretarit amerikan të shtetit.

Top Channel