Analisti Frrok Çupi, e konsideron shpalljen ‘non grata’ të ish-presidentit, Sali Berisha nga DASH dhe nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta janë zhvillime pozitive për vendin.
Çupi thotë se këto dy ngjarje ndihmojnë në hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, vendim i cili do të bëhet publik nga unioni në fund të këtij muaji.
“Skepticizmi i BE-së ka një të drejtë kur thotë që nuk është ndëshkuar krimi i madh. Me ndëshkimin e kryetarit të shtetit, që vjen pas dy ditës dhe sidomos me shpalljen ‘non grata’ të Presidentit legjendar të Shqipërisë, i cili ka ndërtuar një sistem të tërë korrupsioni. Nuk u shpall vetëm Berisha ‘non grata’. Në botën e qytetëruar ‘non grata’ shpallet i tërë zinxhiri, i tërë sistemi korruptiv i vendit. Është shumë e rëndësishme”, shprehet analisti për emisionin “Top Talk”.
Më tej, shton se edhe reforma në drejtësi, e çon vendin një hap më tej, drejt BE-së.
“…dhe e treta, me reformën në drejtësi, Shqipëria paraqitet me një bilanc shumë krenar, shumë të pasur. Dhe prandaj, Holanda që qe skeptike kohët e fundit, tha jam dakord për Shqipërinë. Ta thotë këtë Holanda, do të thotë që vendet e tjera të Bashkimit Europian kanë një zë shumë të fuqishëm, në lidhje me Shqipërinë”.
Ndërsa deklaratën e kryeministrit Edi Rama, për “Bild” se “anëtarësimi në BE-së, është si në pritje të Godosë”, e sheh si thirrje që i bëri Rama Evropës, “për t’u zgjuar”.
“Evropa ka nevojë për t’u zgjuar herë pas here dhe ajo deklaratë për këtë ishte. Kemi dy dekada, që kur ka filluar procesi i negocimit për në BE dhe thuajse jemi në të njëjtin stad”.
Top Channel