Shtëpia e Bardhë: Biden javën e ardhshme me udhëheqësit evropianë

04/06/2021 03:36

Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të takohet me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan gjatë qëndrimit të tij në Evropë më vonë këtë muaj dhe më pas janë planifikuar takime të tjera të shumta me udhëheqësit evropianë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.

Takimi i Biden me presidentin turk, i planifikuar për 14 qershor në periferi të samitit të NATO-s në Bruksel, vjen në një kohë tensioni midis dy udhëheqësve dhe Erdogan ka shprehur publikisht pakënaqësi kur presidenti i SHBA-së kohët e fundit i quajti gjenocid vrasjet masive të armenëve nga turqit në vitin 1915, raporton AP.

Shtëpia e Bardhë zbuloi gjithashtu detaje të tjera të udhëtimit të parë të Biden jashtë vendit si president, i cili fillon javën e ardhshme. Presidenti amerikan së pari do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson më 10 qershor, në prag të Samitit të G7 në Cornwall, Britani e Madhe.

Është planifikuar gjithashtu që presidenti i SHBA-së dhe Zonja e Parë Jill Biden do të ketë një audiencë me Mbretëreshën Elizabeth në Kështjellën Windsor përpara se të drejtohet në Belgjikë, në samitin evropian dhe të NATO-s ku ata gjithashtu do të takohen me Mbretin Filip dhe kryeministrin Alexander De Crome.

Vizita e Biden do të përfundojë në Gjenevë, ku presidenti i SHBA-së do të takohet me homologun e tij zviceran Gio Parmelan dhe ministrin e Jashtëm Ignacio Cassis më 16 qershor, i cili do t’i paraprijë samitit të shumëpritur me presidentin rus Vladimir Putin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA