SHBA bën thirrje për qeverisje më të mirë në Amerikën Qendrore

04/06/2021 06:58

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje udhëheqësve të Amerikës Qendrore që të luftojnë korrupsionin, varfërinë dhe trafikun e drogës për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tyre dhe për të ndaluar migrimin në Shtetet e Bashkuara. Zoti Blinken foli në Kosta Rika, ku u takua me udhëheqësit e rajonit, siç njofton korrespondentja e diplomatike e Zërit të Amerikës, Cindy Saine.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken vlerësoi udhëheqësit e Kosta Rikës për angazhimin e tyre të fortë ndaj vlerave demokratike, por la të kuptohet se një qeverisje e mirë do të ishte gjithashtu thelbësore për të trajtuar shkaqet themelore të migrimit në Shtetet e Bashkuara nga vendet e varfra të “Trekëndëshit Verior” të përbërë nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori.

“Takohemi në një moment kur demokracia dhe të drejtat e njeriut po minohen në shumë pjesë të rajonit. E shohim këtë në dobësinë e pavarësisë së gjyqësorit, goditjen e mediave të pavarura dhe OJQ-ve, ndalimin e kundërshtarëve politikë, dhe shtypjen e përpjekjeve anti-korrupsion”, tha ai. Tensionet janë ndezur mes administratës së presidentit Biden dhe vendeve të “Trekëndëshit Verior” pasi Kongresi lëshoi një listë të Departamentit të Shtetit javën e kaluar që identifikonte 16 zyrtarë aktualë dhe të kaluar nga këto vende si të dyshuar për përfshirje në trafik droge ose korrupsion.

Në mars, vëllai i Presidentit të Hondurasit Juan Orlando Hernandez u dënua me burgim të përjetshëm në Nju Jork për trafik droge, pas një gjykimi që implikoi edhe vetë presidentin. Marrëdhëniet morën një goditje tjetër kur Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele shkarkoi prokurorin e përgjithshëm të vendit dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë. Këto zhvillime, thonë ekspertët, e bëjnë të vështirë për administratën e zotit Biden të dërgojë katër miliardë dollarë ndihmë që ka premtuar për rajonin.

“Administrata e zotit Biden me të drejtë është e përkushtuar për të trajtuar problemet strukturore në këto vende që bëjnë që njerëzit të lënë fshatrat dhe shtëpitë e tyre për të ikur në Shtetet e Bashkuara. Por për ta bërë këtë, ajo e gjen veten të detyruar të punojë me qeveritë që nuk janë të përkushtuara ndaj të njëjtave vlera: transparencës, luftës ndaj korrupsionit, të drejtave të njeriut, konsolidimit të institucioneve demokratike transparente dhe efektive. Dhe kështu, ata vazhdimisht duhet të përshtasin dhe ekuilibrojnë mënyrën e angazhimit në këto vende”, thotë Benjamin Gedan i Qendrës Wilson.

Për shkak të pasigurisë ushqimore të përkeqësuar nga dy uragane të mëdha në rajon vitin e kaluar, disa ekspertë thonë se administrata e presidentit Biden duhet të mendojë përtej paketës së zakonshme të ndihmës së huaj. “Prandaj unë mendoj se përpjekjet në Pellgun e Karaibeve duhet të integrohen në disa nga iniciativat e brendshme më të mëdha të Presidentit Biden. Ai po flet për shpenzime masive për zhvillimin e infrastrukturës: rrugë, porte, aeroporte, etj në Shtetet e Bashkuara. Pse të mos ta shohim pellgun e Karaibeve si fiqnjin tonë të afërt? ” thotë Richard Feinberg i Universitetit të Kalifornisë në San Diego.

Vizita e zotit Blinken i hap rrugën udhëtimit të nënpresidentes Kamala Harris në rajon, ku ajo është ngarkuar nga Presidenti Joe Biden për të trajtuar shkaqet themelore të migrimit. Javën e kaluar, zonja Harris ftoi udhëheqësit e biznesit në Shtëpinë e Bardhë për të nxitur investime të sektorit privat në Amerikën Qendrore.n “Mastercard, synon të hyjë në bashkëpunim me shumë sektorë për të futur 5 milionë njerëz në rajon në ekonominë dixhitale dhe për të mbështetur 1 milion biznese të vogla. Microsoft do të punojë me partnerë lokalë për të zgjeruar qasjen në internet për deri në 3 milionë njerëz në rajon vitin e ardhshëm. Jam e lumtur të njoftoj se Nespresso do të zgjerojë aktivitetet për marrjen e kafes në Guatemalë dhe do të fillojë aktivitetin në Honduras dhe El Salvador “, tha ajo.

Harris planifikon të vizitojë Guatemalën dhe Meksikën javën e ardhshme në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si nënpresidente. Migrimi nga Amerika Qendrore është një çështje e mprehtë politike për administratën, me republikanët që fajësojnë presidentin dhe nënpresidenten duke thënë se kanë dështuar t’i japin fund asaj që ata e quajnë një krizë në kufirin jugor të SHBA./VOA

Top Channel