Bashkëpunimi në fushën e turizmit/ Klosi takon ministrin grek, pritet rritja e kuotave të kalimit në dogana

04/06/2021 19:58

Ministri i turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ndodhet për vizitë zyrtare në Athinë, ku është ftuar nga homologu grek Haris Theoharis dhe kanë diskutuar për rritjen e shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit.

Ministri shqiptar Klosi u ndal tek lëvizja e lirë e qytetarëve në kufi, në kushtet e rënies së infektimeve dhe rritjes së vaksinimit, ku vendi ynë ka shifra të dukshme të rënieve të rasteve të reja.

Klosi: Ishim në një konferencë së përbashkët përsa i përket zonës së bregdetit dhe zhvillimit të turizmit blu që për Shqipërinë është një biznes i ri dhe prandaj eksperienca greke është e jashtëzakonshme, por po ashtu dhe krijimi i bashkëpunimit në këto aspekt është mëse i domosdoshëm. Diskutuam përsëri përsa i përket shkëmbimeve të situatës në trajtimin e pandemisë në dy vendet tona dhe shifrat e Shqipërisë janë optimiste sa i përket përfundimit të pandemisë. Këto do të duhet të përkthehen dhe në vendimmarrje të BE, vendeve anëtare të tij dhe besoj që kolegu do të jetë avokat i mirë të reduktimit të numrave në Shqipëri duke filluar nga shteti helen për të filluar lëvizjen në kufi sa i përket turizmit.

Edhe homologu grek shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim. Theoharis tha se fillimisht rritja e kuotave dhe në vazhdim hapja e kufijve me vendin tonë, do të sjellë rritje të shkëmbimeve  turistike mes vendeve tona. Aktualisht pritet lirimi i masave me Shqipërinë dhe rritjen e kuotave të kalimit në pikat kufitare.

Sipas burimeve greke, pritet që të hapet pika kufitare e Qaf Botës me orar 07:00-19:00 dhe me kufizim deri në 250 persona në ditë, rritja e kuotave të Kakavijës në 1000 persona në ditë nga 400 që është aktualisht, dhe lejimi i kalimit edhe për kategori të tjera veç punonjësve sezonalë dhe rritja e numrit nga 400 në 700 në pikën kufitare të Kapshticës. Vendimet përfundimtare do jepen gjatë orëve në vazhdim.

FOTO GALERI
6/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA