Përfundon epoka e Netanyahut, “armiqtë” bashkohen kundër kryeministrit izraelit

03/06/2021 12:26
Benjamin Netanyahu

Beniamin Netanyahu duket se do t’i thotë lamtumire pushtetit pas 12 vitesh qeverisjeje të Izraelit.

Partitë opozitare atje arritën marrëveshjen për formimin e qeverisë së re. dëshira për të përmbysur shefin e ekzekutivit bëri bashkë dy rivalë të mëdhenj, Yair Lapid, udhëheqësi i partisë së qendrës, Yesh Atid, dhe kreu i partisë së krahut të djathtë Yamina, Naftali Bennett.

Rreth 30 minuta para se të kalonte afati në mesnatë, Yair Lapid e njoftoi presidentin Reuven Rivlin, se ka arritur të formojë shumicën për të formuar qeverinë e re. Sipas marrëveshjes së vulosur nga opozita, Bennett, do të ushtrojë funksionin e kryeministrit dhe pas rreth dy vitesh do t’ia dorëzojë postin, Yair Lapidit. Ky i fundit u mandatua për formimin e një koalicioni qeverisës pasi Netanyahu dështoi në përpjekjen e tij, pas zgjedhjeve të 23 marsit.

Kjo qeveri do të punojë për të gjithë qytetarët e Izraelit, ata që votuan për të dhe ata që nuk e votuan. Ajo do të respektojë kundërshtarët e saj dhe do të bëjë gjithçka që mundet për të bashkuar dhe lidhur të gjitha pjesët e shoqërisë izraelite“, tha Lapid në Twitter.

Më herët, Netanyahu ka thënë se një koalicion i tillë qeverisës do të paraqiste rrezik për Izraelin. Qeveria e re tani duhet të votohet nga parlamentit, të cilit presidenti Rivlin i bëri thirrje të mblidhet sa më shpjet. Nëse koalicioni nuk arrin të fitojë mbështetjen e shumicës në Knessetin me 120 vende, Izraeli mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, të pestat në vend brenda dy vjetësh.

Top Channel